Të paktën 12 persona kanë vdekur dhe rreth 50 të tjerë janë lënduar pas një vargu shpërthimesh në një fabrikë kimikatesh në rajonin perëndimor indian të Maharashtra-s të shtunën.
Lajmin e bënë të ditur zyrtarët e një spitali dhe policia.
Një zyrtar në spitalin e Shirpurit tha se 12 persona kanë vdekur nga shpërthimet.
“Janë rreth 37 persona të lënduar që janë pranuar në këtë spital dhe i kemi transferuar 12 pacientë të tjerë”, tha ky zyrtar.
Shpërthimi i parë në fabrikë ndodhi rreth orës 9 e 30 minuta sipas kohës lokale. Në pamjet e publikuara nga vendi i ngjarjes shihet shumë tym i zi që dilte nga fabrika.
Zyrtari policor, Sanjay Ahire, tha: “Fillimisht ka shpërthyer një fuçi me 200 litra kimikate, pastaj zjarri është përhapur në pjesët e tjera të fabrikës dhe kështu janë shkaktuar edhe më shumë shpërthime”, shkruan Reuters.