I ngjan Robinson Kruzosë, jo vetëm për nga tiparet, por edhe për shkak të rrugëtimit që ka nisur…
Katër muaj më parë, Gonçalo Madeira nisi rrugëtimin më të veçantë të jetës së tij. Ai la Portugalinë, në kërkim të përvojave të reja.
Gonçalo nuk mendoi në asnjë moment të kthehej pas, synimi i tij ishte të largohej nga gjithçka, edhe pse kjo do ta largonte nga puna, miqtë dhe familja.
Pas nëntë vendesh që ai vizitoi gjatë rrugëtimit të tij, ndalesa e radhës e 27-vjeçarit nga Lisbona është Shqipëria.
Në Shqipëri, përveç peizazheve të mrekullueshme, Gonçalo thotë se gjeti dhe mikpritje. Ndaj dhe përshtatjen, nuk e pati aspak të vështirë.
Portugezi tregon:
Në fakt doja të largohesha nga jeta e zhurmshme e qytetit. Ndotja e madhe, fakti që më duhet të punoj tetë orë për dikë si skllav. Doja që të kisha lirinë, larg rutinës së përditshme të qytetit. E nisa rrugëtimin tim rret katër muaj më parë në Portugali. Kalova pjesën më të madhe në Evropë. Spanjë, Francë, Gjermani dhe Austri.
Më pas u futa në Ballkan. Erdha në Slloveni, Kroaci, Bosnje dhe Mal të Zi dhe tani jam në Shqipëri. Fatmirësisht takova një djalë të mirë të quajtur Toma, i cili ndaloi makinën dhe, edhe pse unë nuk dija shqip dhe ai anglisht, më ftoi të qëndroja në shtëpinë e tij.
Takova familjen e tij dhe më ofruan ushqim dhe një vend për të fjetur. Mund të them se njerëzit kanë qenë shumë të mirë këtu në Shqipëri”
E veçanta e rrugëtimit të portugezit: udhëtim low – cost. Në katër muaj nuk ka shpenzuar thuajse asnjë qindarkë. E vetmja mënyrë për të mbijetuar janë punët e rastësishme që bën në çdo vend ku shkel dhe si këmbim merr strehë dhe ushqim.
Ndiqni më poshtë reportazhin e përgatitur nga gazetari Ardit Toca: