Një grua e moshuar nga Anglia, e cila e kalon kohën e lirë duke kërkuar gjëra të çmueshme në fshat me detektor metali, e ka gjetur një unazë të rrallë, e cila besohet se është shumë e vjetër. Sipas gruas që e gjeti atë, unaza mund të ketë qenë në pronësi të shkrimtarit të famshëm britanik, William Shakespeare.
Sue Kilvert, 66 vjeçe, e gjeti këtë unazë përderisa po kërkonte metale të çmuara në Rowington të Warwickshire-s. Në pjesën e brendshme të unazës ndodhet mbishkrimi “E vërteta nuk tradhton”.
Kjo zonjë, e cila e ka nisur kërkimin e metaleve para pesë vjetësh, kishte arritur pothuajse në fundin e fushës, kur pajisja e saj e dha një sinjal të fortë për praninë e metalit nën dhe. Ajo më pas rrëmihi 20 centimetra nën sipërfaqe dhe e gjeti unazën e artë.
Fillimisht, ajo kishte menduar se është një unazë e zakonshme e fëmijëve, por pasi e pa mbishkrimin në të, e kuptoi se ajo i përket një periudhe më të lashtë, shkruan “Daily Mail”.