Basha: “Raporti ka rrëzuar të gjithë shtetin e Edi Ramës. Raporti nuk është vetëm autopsia e zgjedhjeve të vdekura të 30 qershorit”

Nga fjala e Lulzim Bashës para mediave:

“Raporti ka rrëzuar të gjithë shtetin e Edi Ramës. Raporti nuk është vetëm autopsia e zgjedhjeve të vdekura të 30 qershorit. Raporti është autopsia e kufomës së shtetit të së drejtës, e qeverisë së popullit dhe drejtësisë, të cilat janë vrarë nga Edi Rama për t’i zëvendësuar ato me një shtet privat, autokratik, kriminal dhe personal.

Raporti tregon se në Shqipëri kushtetutë dhe ligj është vullneti personal i Edi Ramës, Raporti tregon se në Shqipëri shteti është vetëm një vegël në shërbim të vullnetit personal të Edi Ramës. Në autokracinë e Edi Ramës shteti është instrument privat i gjithi në shërbimin ekskluziv privat të Edi Ramës:

Në shtetin privat të Edi Ramës datën e zgjedhjeve nuk e cakton Presidenti, sikurse ka vendosur Kushtetuta, por Edi Rama.

Në shtetin privat të Edi Ramës kushtetueshmërinë e ligjeve nuk e gjykon Gjykata Kushtetuese por Partia Socialiste e Edi Ramës.

Në shtetin privat të Edi Ramës, dekretet e Presidentit, kryetarit të Shtetit, nuk botohen në Fletore Zyrtare nga Ministria e Drejtësisë siç e kërkon ligji, por zhduken pa lënë gjurmë siç e do Edi Rama.

Në shtetin privat të Edi Ramës, KQZ në shkelje të ligjit dhe të Kushtetutës vendos të përjashtojë opozitën nga administrimi zgjedhor dhe ja beson atë njerëzve të caktuar nga Edi Rama.

Në shtetin privat të Edi Ramës, edhe partitë politike krijohen nga Edi Rama dhe atyre u vihet i gjithë shteti në dispozicion për të krijuar fasadë pluraliste për autokratin Edi Rama.

Në shtetin privat të Edi Ramës, gjykatat nuk vendosin bazuar në ligj dhe në shërbim të drejtësisë, por sipas dëshirave dhe për llogari të Edi Ramës.

Në shtetin privat të Edi Ramës administrata publike dhe burimet publike janë në shërbim të Edi Ramës dhe pronë e Edi Ramës.

Në shtetin privat të Edi Ramës, siç e pa dhe u dëgjoi mbarë bota edhe nga përgjimet e BILD, edhe krimi është në shërbimin ekskluziv të Edi Ramës.

Ky shtet privat dhe kriminal duhet shembur, për të rikthyer në vend shtetin e së drejtës, demokracinë dhe zhvillimin ekonomik.

Loading...