Si zgjidhen punët sot? – Nga Genc Demiraj

Nga Genc Demiraj

Si zgjidhen punet sot..?

Ndoshta brezi i 25 a 30 vjecarëve të sotëm nuk e dine apo nuk e kanë të qartë, se dikur në fëmijërinë apo mosqënien e tyre, punët zgjidheshin kollaj.

Mjaftonte vetëm një direktivë, porosi apo telefon nga lart dhe pa as më të voglin diskutim, çështjet kishin marrë fund. Hjerarkia e përgjegjësisë dhe e pushtetshmërisë ishte e plotfuqishme. Eprori , ishte firma dhe vula. Eprori i eprorit, po ashtu.

Dhe i madhi i eprorëve, ishte “Zoti”… Dhe punët zgjidheshin edhe me dy gisht letër, edhe me një fjalë apo dhe me një telefon, mjaft që të thoshte Shefi. Për mirë apo për keq, lëmshi shtjellohej.
… Kështu ka ndodhur atëhere, në atë kohë që brezi i sotëm i 25 a 30 vjeçarëve nuk e dinë apo nuk e kanë të qartë. Por ama për kohën sot që po jetojmë, dinë shumë gjëra siç dimë edhe ne.

Dinë shumë mirë, që për një shkollë të mirë duhet më shumë para sesa mëndje. Për një vend pune , duhet një mik i pushtetshëm sesa një shkollë e mirë. Dhe për një karrierë në shtet a në politikë , duhet një mbështetje e ngrohtë e Shefit të shefave… E di shumë mirë se ç’duhet sot, ky brezi i 25 a 30 vjeçarëve, siç e dimë të gjithë ne.

Por nuk e dinë që kjo metodë është e njëjtë , për të mos thënë më keq me të atyre kohërave, që ata nuk e kanë njohur. Është e njëjta mënyrë , e njëjta psikologji , të njëjtat marifete. Dominimi i plotfuqishmërisë së njëshit.
…Njëlloj si dikur, në s’pastrime të mëdha, iniciativat merren nga poshtë… Për qëllime gjoja “madhore” të interesave, gjoja “kombëtare”, ujdisen, sajohen dhe përgatiten të gjitha mjetet që i justifikon qellimi. Ç’bëhen dhe ribëhen ligje, dekrete, urdhëra…

Ngrihen apo shkatërrohen biznese, institucione dhe vlera…Nëpërkëmben apo lartësohen ndere, morale dhe ndjenja… Njëlloj si dikur nëpër aktive, konferenca apo pleniume, zhvillimet, dënimet dhe rezultatet dihen që më parë sepse direktivat, porositë dhe urdhërat janë dhënë nga lart.
…E pra, shumica e dinë…por brezi i 25 a 30 vjeçarëve të sotçëm duhet ta mësojë , se edhe sot të gjitha punët zgjidhen njëlloj si dikur, në atë kohën që ata nuk e kanë njohur, vetëm me një direktivë, porosi apo telefon nga lart…

Loading...