Ekspozitë – Rrugëtimi i jetës së Nënë Terezës (foto)

U çel në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, pasditen e sotme ekspozita me foto në të cilat përshkruhet rrugëtimi i jetës së Nënë Terezës që nga fëmijëria, rinia, përkushtimi ndaj të varfërve e deri në vitet e fundit të jetës.

Në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite të veçantë morën pjesë zv.ministrja e Kulturës, Valbona Shujaku, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, si dhe shumë dashamirës të artit.

Në fjalën e tij përshëndetëse Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, u shpreh se, “është kënaqësi e veçantë që Muzeu Historik Kombëtar ka sjellë këtë ekspozitë fotografike të Nënë Terezës me foto origjinale, duke përmendur kontributin e Don Lush Gjergjit në pasurimin e ekspozitës me foto origjinale në të cilat përshkruhet rrugëtimi i jetës së Nënë Terezës”.

Zv.ministrja e Kulturës, Valbona Shujaku u shpreh se pas një bisede me Don Lush Gjergjin, i kish rrëfyer se nëse ajo do ishte një politikane, ne shqiptarët do të ishim edhe më mirë, pasi ajo ishte shumë e vendosur në idetë e saj ku veçonte humanizmi dhe mirësia e saj, ku reflektohet më së miri në këtë ekspozitë. /atsh

Loading...