Pas 37 ditësh të vështira në reanimacion, binjakët fitojnë betejën e jetës

Amiri dhe Amari janë dy binjakët e sjellë në jetë në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, të cilët pas 37 ditësh të vështira në reanimacion, janë gati të shkojnë në shtëpi.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu njoftoi mëngjesin e sotëm se dy binjakët ia dolën të fitojnë betejën e jetës. Manastirliu ka vizituar binjakët dhe nënën e tyre në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, që pas një ndërhyrje delikate dhe një periudhe të gjatë në reanimacion, janë gati të kthehen në shtëpi.

Manastirliu vlerësoi punën e mjekëve dhe të stafit të Maternitetit “Mbrëtëresha Geraldinë”, falë punës së të cilëve Amiri dhe Amari janë jashtë rrezikut për jetën, duke treguar edhe njëherë se ndërhyrje delikate dhe të specializuara mund të kryhen në Shqipëri.

“Pas 37 ditësh të vështira në reanimacion, Amir & Amar ia kanë dalë të fitojnë betejën e jetës, pas një ndërhyrje delikate dhe punës e përkushtimit të çdo dite të ekipit të “Mbretëresha Geraldinë””, theksoi Manastirliu.

Sot, për binjakët është dita për të shkuar në shtëpi.

Investimet në këtë maternitet kanë sjellë standarde të reja shërbimi. Vetëm gjatë vitit 2018, u investua për 18 inkubatorë stacionarë, 11 inkubatorë transporti dhe 8 ekografi obstetrike-gjinekologjike në maternitetet e gjithë vendit. /atsh

Loading...