Analisti Fatos Lubonja ka qenë sot në studion e News24, në rubrikën “Opinion” për të folur për zhvillimet e fundit politike, e konkretisht dëshminë e Presidentit të Republikës Ilir Meta në Komisionin hetimor parlamentar.
Ndërsa i mori me radhë tre argumentet kryesore të dhëna sot nga kreu i Shtetit që çuan në anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, Lubonja tha se “nëse do të kishte një dokument nga SHISH për informacione se në 8 qershor do të digjej parlamenti, që sipas ligjit i shkon dhe Presidentit edhe kryeministrit, duhet të kishte hetim nga institucionet“. Madje sipas tij, duhet të ishte kryeministri që të kishte kërkuar hetim pasi e ka detyrim. Në gjithë këtë Lubonja thotë se në peshore e drejta anon më shumë nga Presidenti.
“Ndoqa argumentet e Metës që ishin 3 kryesorë. Njëri ishte më i rëndësishmi për mua që binte në kontradiksion si me thënë me dy të tjerët sepse kishte një argument kushtetues në kuptimin që zgjedhje me një kandidat të vetëm është antikushtetuese, ishte argumenti i sigurisë kombëtare që lidhej me djegien e parlamentit, ishte dhe argumenti i integrimit europian që pengohet në këtë mënyrë. Këto ishin tre. Ku ishte problemi i këtyre tre argumenteve sipas meje, tek argumenti i dytë.
U përdor aty një fjalë ‘nuk mund të lejoja djegien e Rajshtagut’, që padyshim për asosacion na çon në djegien e Rajshtagut nga Hitleri që u përdor si mundësi, si mjet për të akuzuar opozitën dhe për ta nxjerrë opozitën jashtë dhe tjetra që vinte si informacion nga SHISH. Unë mendoj që këtu qëndron skandali i politikës sonë dhe i këtij teatri që pamë. Nëse ka një dokument nga institucioni i SHISH që dikush do të djegë parlamentin, nga sa e di unë ligjin, ky dokument nuk i shkon vetëm Presidentit por edhe kryeministrit. Në qoftë nëse Presidenti nuk e ka për detyrim ta çojë në organet kompetente për hetim, kryeministri e ka edhe për detyrim. Tani çfarë shteti është ky lind pyetja? Kush donte ta digjte? Aluzioni që bën Meta është që donte ta digjte kryeministri për të eliminuar opozitën. Rajshtagu aty të çon.
Por nga ana tjetër nuk është shumë e qartë, sepse mund të ishte dhe opozita dhe opozita akuzohet sikur do të digjte për të treguar atë papajtueshmërinë. Gjithsesi kjo duhet të kishte shkuar në hetim. Në qoftë se ti ke një parti në pushtet dhe një kryeministër që është i gatshëm të djegë parlamentin për të eliminuar opozitën këtu nuk bëhet dot më fjalë për zgjedhje jo me një kandidat jo me dy, ose thellohemi këtu dhe këtu bëjmë skandalin politik dhe e sqarojmë deri në fund, s’ka më kuptim as për integrim as për gjë. Nëse ke një opozitë e cila donte ta bënte këtë, mund të jetë pak më lehtësuar në shenjë proteste për vjedhjen e votës, 1,2,3 por përsëri duhet hetuar”, deklaroi Lubonja.
Ai theksoi se nuk mund ta lësh publikun në këtë lojë që ngjan si një teatër që njëra palë akuzon palën tjetër. “Ky është problemi i madh. Kjo më tërhoqi vëmendjen shumë, sepse gjithmonë kështu ndodh në Shqipëri, nuk ka drejtësi. Këtu lind pastaj problemi, s’ka vepruar kryeministri? Nëse kryeministri nuk ka vepruar, ka shkuar ky dokument, atëherë mund të jetë ky fajtori, njerëzit e këtij. Nëse kryeministri ka vepruar, ku e kemi drejtësinë që nuk ka zbuluar. Apo është e gjitha një shpifje?! Ky ishte refleksioni im i parë”, u shpreh ai.
Por a është argument i mjaftueshëm për të anuluar zgjedhjet? Sipas Lubonjës argumentet nuk janë vetëm ligjorë. “Kur ndalemi tek argumentet ligjore besoj se duhet të merremi me atë që a ka kompetencë ligjore Presidenti për t’i shtyrë?! Këtu përsëri janë ndarë opinionet por një gjë është e sigurt që ka ose s’ka të drejtë Presidenti duhet ta vendoste Gjykata Kushtetuese, e cila nuk ekziston. Dhe kthehemi përsëri, nuk ekziston një drejtësi dhe një polici e pavarur, që heton se kush do të digjte parlamentin. Nuk ekziston një gjykatë Kushtetuese që do të vendoste ka apo s’ka të drejtë Presidenti? Atëherë në çfarë shteti jemi?!”, pyet në mënyrë retorike Lubonja.
Sa i përket impaktit për imazhin e vendit, analisti thotë se kjo e nxjerr vendin që këtu nuk ka shtet të së drejtës jo se jo por se nuk ka as edhe një seriozitet. “Qoftë edhe në një shtet autoritar, ka një lloj serioziteti. Këtu jemi në një situatë ku as autoritarizmi nuk është i konsoduar përfundimisht, demokraci s’ka fare dhe vijmë aty tek kjo tek papërgjegjshmëria e bandave që qeverisin këtë vend për interesa. Jemi shumë larg shtetit të së drejtës, boll t’i marrësh në analizë, veçanërisht argumentin e dytë. Argumentet e tjera janë si retorikë, të rëndësishme por gjithsesi mundet të përdoren… Hyrja në Europë, është shumë retorike po ça do hysh në Europë me këto kushte, ç’kuptim ka, me këtë situatë që maxhoranca donte të digjte parlamentin për të eliminuar opozitën?! Si mund të hysh në Europë në qoftë se është e vërtetë kjo? Fakti që nuk hetohet kjo, përsëri tregon që ti nuk ke institucione për të hyrë në Europë. Ndërsa tjetri, ai është argumenti ndoshta më i rëndësishëm politik i pari që zgjedhje me një parti nuk duhet të lejoheshin.
Duhet të bënte çmos dhe maxhoranca që të respektoheshin disa kushte. Plus që siç pamë edhe në raportin e ODIHR, dekreti i Presidentit që duhet të hyntë në Fletore Zyrtare dhe nuk hyri… është anashkaluar në një mënyrë antikushtetuese jo vetëm për mendimin tim por edhe të ODIHR që provon se në një farë mënyre në gjithë këtë në qoftë se do të gjejmë një peshore, në peshore e drejta anon më shumë nga Presidenti”, tha Lubonja.
A doli Meta fitues apo humbës përballë komisionit hetimor? Lubonja thotë: “Varet se nga cili këndvështrim e sheh. Ajo që bie në sy për mendimin tim është teatraliteti. Unë kam shprehur më herët mendimin këtu se Meta fare mirë mund të kishte lënë Presidencën të drejtonte politikën. Në qoftë se ti ke një të dhënë që kryeministri do të djegë parlamentin që do të eliminojë opozitën, këtu jemi para një alarmi të madh që ti nuk e rregullon dot me ligj. S’mund ta ndash në fitore dhe humbje. I gjithë vendi sheh një humbje në kuptimin e imazhit nga kjo. Por besoj se roli i tij në përgjithësi është më pozitiv, në kuptimin se ka tentuar të mbajë një rol, por ama është një fasadë që ai e di vetë që nuk përfillet nga Edi Rama. këtu do shohim përfundimisht çfarë do vendosin këta. Këtu komisioni kryesor parlamentar hetimor duhet të ishte ore kush donte ta digjte parlamentin”.
Pyetjes a po ndryshon diçka në marrëdheniet President-maxhorancë pas kafes së Kreut të Shtetit me kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi, Lubonja iu përgjigj se në Shqipëri mund të ndodhë gjithçka.
“Këtu në Shqipëri gjithçka ka ndodhur. Në qoftë se do i jepni fjalët që ka thënë Edi Rama para apo gjatë 21 janarit dhe fjalët që ka thënë Meta pas 21 janarit dhe të keni parasysh si bënë koalicion, çdo gjë ndodh në Shqipëri. Ndonjëherë të japin përshtypje se këta nuk janë të vetëdijshëm se kjo lojë ku po na çon. Iu duket si një lojë, por nuk mund të luash me fatet e njerëzve. Por kjo nuk është politikë, as shërbim por infantilizëm”, tha analisti.
Për sa i përket 13 tetorit dhe qëndrimit të opozitës, Lubonja tha se ka një lloj çarje. “Në qoftë se mund ta quaj midis dy partive të opozitës lidhur me faktin se sa radikal duhet të jemi. Në kuptimin duhet të hyjmë në zgjedhje me Edi Ramën apo jo. PD ka thënë nuk do hyjmë, LSI duket si më e hapur për një kompromis, se në fund përmes zgjedhjeve do bëhet. Jemi në një dilemë që nuk mund ta ndash dot se kush ka të drejtë. Do gjendet një zgjidhje…politika është arti i së mundshmes thonë. Personalisht jam i ndarë mes idesë që duhet bërë një presion nga opozita i madh, minimalisht që duhet të ketë një dënim për të gjithë ata për të cilët ka prova se kanë vjedhur votën. Dosja e Dibrës, dosja e Durrësit…Atëherë mundet të kesh garancinë që do shkosh në zgjedhje që të jenë minimalisht të lira…Situata është shumë konfuze dhe dramatike dhe duhet dalë”, deklaroi Lubonja.