Nis stërvitja më e madhe e NATO-s pas Luftës së Ftohtë

Stërvitja më e madhe ushtarake e NATO-s që nga fundi i Luftës së Ftohtë, e quajtur “Trident Junckture 18”, ka nisur sot në Norvegji dhe do të vijojë deri më 7 nëntor, në atë që do të jetë një shpalosje masive fuqie.

Rreth 50 mijë trupa, nga 31 vende (29 anëtarë të NATO-s plus Suedinë dhe Finlandën), do të marrin pjesë në manovra. Ato organizohen në Norvegjinë Qendrore, në Atlantikun Verior e Detin Balltik, si dhe në hapësirën ajrore norvegjeze, suedeze dhe finlandeze.

Në stërvitje marrin pjesë 20 mijë forca tokësore, 24 mijë personel marine, 3.500 trupa nga forca ajrore dhe rreth 2.300 specialistë logjistike dhe personel nga një varg komandash të NATO-s. Më shumë se 10 mijë mjete marrin pjesë në manovra, e sipas ushtrisë norvegjeze, autokolona e tyre shkon në 92 kilometra. Rreth 250 avionë dhe 65 anije janë përfshirë po ashtu, mes të cilave edhe luftanija bërthamore amerikane “USS Harry S. Truman”.

Pesë vendet kryesore kontribuese janë Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Norvegjia, Britania dhe Suedia. Organizimi i një stërvitjeje të tillë ka qenë për NATO-n një telash jo i vogël, për shkak të logjistikës së konsiderueshme që është nevojitur.

https://youtu.be/Vk3tkpOx4iI

Loading...