Banka e Shqipërisë ka prezantuar ditën e sotme serinë e re të kartëmonedhave të reja.
Në ceremoninë e zhvilluar, guvernatori Gent Sejko tha kartëmonedhat e reja vijnë të rifreskuara dhe me elemente sigurie të përmirësuara duke i dhënë kartëmonedhës shqiptare pamjen e një kartëmonedhe moderne, në të njëjtën kohë rezistente, me cilësi, integritet dhe besueshmëri të lartë.
“Prezantimi dhe hedhja në qarkullim e serisë së re të kartëmonedhave përbën një ngjarje shumë të rëndësishme, një moment të veçantë, jo vetëm për Bankën e Shqipërisë, por për gjithë shtetin shqiptar. Pas më shumë se 20 vitesh, dizenjo e kartëmonedhave të qarkullimit vjen e rifreskuar dhe me elementë sigurie të përmirësuara, duke i dhënë kartëmonedhës shqiptare pamjen e një kartëmonedhe moderne, në të njëjtën kohë rezistente, me cilësi, integritet dhe besueshmëri të lartë”, thuhet në njoftimin e Bankës së Shqipërisë.
Seria e re e kartëmonedhës shqiptare gërsheton sigurinë maksimale, pamjen moderne, komunikimin artistik të mesazhit historik dhe rezistencën më të lartë gjatë përdorimit. Ajo është rikonceptuar e plotë me 6 prerje: 200, 500, 1.000, 2.000, 5.000 dhe 10.000 Lekë. Ndërkohë që dy prerjet e para të kësaj serie, ajo 200 Lekë dhe 5000 Lekë – emetime të vitit 2017, janë gati për t’u hedhur në qarkullim më 30 shtator 2019, kartëmonedhat e tjera të serisë do të hidhen në qarkullim në mënyrë graduale gjatë 3-4 viteve të ardhshme dhe do të kenë vlerë ligjore krahas prerjeve ekzistuese.