Gjirokastër – Bashkëpunim ndërinstitucional për garantimin e sigurisë së qytetarëve

Prefekti i qarkut Gjirokastër, Astrit Aliaj mori pjesë ditën e sotme në një takim pune në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër në kuadër të trajtimit të problematikave të ndryshme dhe marrjen e masave policore në përputhje me objektivat, programin dhe planin e veprimit të përcaktuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Në fjalën e tij në këtë takim, Prefekti i qarkut vlerësoi për punën me shumë përkushtim të Drejtorit të D.V.P Gjirokastër Perlat Vatoci dhe të gjithë strukturës policore të kësaj drejtorie në rritjen e performancës në luftën kundër krimit të organizuar, parandalimit të kultivimit të bimëve narkotike si dhe në garantimin e një mjedisi të sigurt dhe cilësor për komunitetin.

Gjithashtu, Prefekti theksoi rëndësinë e imazhit të mirë që duhet të kenë forcat policore të udhëhequr nga etika dhe kultura e integritetit me qëllim rritjen e besimit të qytetarëve.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër Perlat Vatoci prezantoi punën e bërë dhe masat e marra nga strukturat e D.V.P për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike dhe jo vetëm, duke përmendur si masat sensibilizuese, ashtu edhe masat operacionale.

Prefekti i qarkut kërkoi një bashkëpunim ndërinstitucional, koordinim nga të gjithë strukturat ligjzbatuese për intensifikimin e masave të nevojshme për përballimin me sukses të problematikave të ndryshme që hasen sidomos në këtë fillim viti të ri arsimor.

Me këtë rast, Prefekti i qarkut takoi nga afër efektivët e forcave policore dhe inspektoi mjetet e tyre policore në funksion të përmbushjes së detyrave të policisë në patrullim sipas juridiksionit të strukturave në kontrollin e territorit.

Në përfundim të këtij takimi, Prefekti i qarkut theksoi angazhimin maksimal të çdo efektivi të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër në rritjen e parametrave të sigurisë publike në qarkun tonë. /atsh

Loading...