Epidemia e pazakontë që preku dhjetra pacientë në fillim të shtatorit është shkaktuar nga salmonela.
Nga analizat e pacientëve që janë trajtuar në Spitalin Infektiv ka rezultuar se të sëmurët kanë patur salmonelë; një bakter që merret nga ushqimet e palara mirë, nga uji, por edhe nga mungesa e higjienës së duarve.
Burime për “A2cnn” bëjnë të ditur se pacientët e pyetur në Pediatri dhe Infektiv konsumonin ujin e boteve.
Këto të fundit nuk kanë asnjë kontroll nga institucionet shëndetësore dhe uji që tregtohet është i pasigurtë.
Vetëm para pak ditësh, Spitali Infektiv u përball me një dyndje pacientësh, 280 në ditë të prekur nga infeksioni që mori përmasat e një epidemie në Tiranë.
Për shkak të fluksit të lartë, minstria hapi tre urgjenca pranë qendrave shëndetësore, ndërsa ende nuk ka bërë publik shkakun e situatës së pazakontë në fillim të vjeshtës.
Nga ana tjetër në media është raportuar se shumë lagje të Tiranës kanë vuajtur mungesën e ujit në çezma gjatë kësaj vere. Kjo ka bërë që qytetarët të përdorin në masë ujin që tregotohet me autobote.
Bashkia e Tiranës, UKT-ja dhe Instituti i Higjienës kane heshtur për këtë situatë të rëndë që çoi në spital me qindra qytetarë të kryeqytetit, sidomos në javën e parë të muajit shtator.