“Të flasim dhe të shkruajmë bukur dhe pa gabime gjuhën shqipe” – Mësimi 64 – Kllapat – Nga mësuesja e gjuhës shqipe Lejla Gorishti

RUBRIKA
“Të flasim dhe të shkruajmë bukur dhe pa gabime gjuhën shqipe”

MËSIMI 64

Nga mësuesja e gjuhës shqipe Lejla Gorishti

KLLAPAT ( ) [ ]

Kllapat veçojnë fjalë, fjali a periudha që shtihen në një fjali a periudhë për të shprehur vërejtje a sqarime plotësuese. Ato shënojnë një lidhje më të dobët nga lidhja e shprehur prej vizës. Nga të dyja llojet e kllapave, kllapat e rrumbullakëta kanë përdorim te rëndomtë, kurse kllapat katrore përdoren në raste të veçanta në tekste shkencore.
I. Kllapat e rrumbullakëta

121. Mbyllen në kllapa fjalë e fjali të ndërkallura që dalin më pak të lidhura me pjesën tjetër të fjalisë a të periudhës.
Dy ditë më vonë uji u lëshua dhe në fillim tubat kishin qarë (shprehje e t’et), pastaj kishin rrjedhur si më parë.
Deti, i cili atë pranverë dukej sikur ishte afruar (atëherë shquheshin gjer shkumëzimet e bardha të dallgëve dhe barkat e vogla të peshkatarëve), tani qe larguar përsëri e nuk zinte në horizont veçse një vetull gjë.
Shënime 1. Kur fjala a fjalia e ndërkallur ndodhet në fund të fjalisë a të periudhës, shenja e pikësimit që i takon fjalisë a periudhës, vihet pas kllapës:
Gjenerali, si zuri vend mirë, ngaqë s’kish ç’të bënte, hapi fletoren. Fleta e parë mungonte (në shumicën e ditarëve që kishin gjetur, mungonin gjithmonë fletët e para).
2. Kur fjalia e ndërkallur është pyetëse ose thirrmore, në fund të saj, para kllapës, vihet shenja përkatëse e pikësimit, pikëpyetja ose pikëçuditja, dhe pas kllapës pika:
Oxhaqet, si në çdo minierë në botë, janë si arteriet e gjakut për njeriun (se vërtet, a ka, thua, minierë më të madhe se njeriu?).
Në diskun fluturues e kalonin kohën shumë mirë. Bisedonië, flinin (oh, ç’të fjetur!).

122. Kllapat veçojnë edhe treguesit skenikë në veprat teatrale. Ndërkaq këto mund të dallohen nga pjesa tjetër e tekstit edhe nga karakteri i shkronjave (kursive ose të zeza).
Jonuzi – (Thërret.) Mira!
Mira – (Nga brenda) Urdhëro baba ! (Hyn.)
Jonuzi — Sillmë enën e ziftit këtu dhe thirrma Petritin. Shpejt!
(Mira hyn ne kuzhinë dhe del bashkë me Petritin, që mban enën e ziftit.)

123. Mbyllen në kllapa fjalët që zbërthejnë një emërtim të shkurtuar ose shkurtimi i një emërtimi të plotë. Këto mund të jenë:
a) emërtime të plota të organizatave, shoqërive, institucioneve, simbole «kimike, në qoftë se vijnë pas shkurtimeve dhe anasjelltas shkurtimet, në qoftë se vijnë pas emërtimeve të plota; pseudonime, në qoftë se vijnë pas emrit të vërtetë dhe anasjelltas; emërtimi i dytë i një sendi, në qoftë se përdoret krahas emërtimit të parë ose anasjelltas; shpesh edhe mëntitujt, sidomos kur dallohen nga karakteri i shkronjave:
Ato ditë qarkulloi materiali i OKB-së (Organizata e Kombeve të Bashkuara) për këtë problem.
Nga këto kripëra duhen përmendur: kripa e gjellës (NaCl), sulfat natriumi (Na2SO4), klorur kalciumi (CaCl2), klorur magnezi (Mg2Cl2), sulfat magnezi (MgSO4) etj.
Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni), Asdreni (Aleks Stavre Drenova).
Një sukses i merituar (Shënime për operën «Skënderbeu»)
Dasmë pa nuse (Komedi)
b) emri i një krahine a i një shteti kur vjen pas një emri gjeografik që i përket kësaj krahine a këtij shteti:
Kur arritëm në Boboshticë (Korçë), më në fund u shtruam të hamë..
c) emrat e përvegëm të huaj me drejtshkrimin e gjuhës përkatese kur jepen krahas transkriptimit të tij në gjuhën shqipe :
Shekspir (Shakespeare), Shopen (Chopin), Balzak (Balzac)
g) referimi i një citati kur jepet në vazhdim të tij (jo në fund të faqes), si edhe data e lindjes dhe data e vdekjes së një autori kur jepen krahas emrit:
«Në prag të vitit të ri shkollor u nis për në Manastir, për të marrë pjesë në Kongres. » (Musa Kraja, «Mati Logoreci», 2001, f. 78)
Naim Frashëri (1846-1900), Zef Serembe (1843-1901)

124. Mund të mbyllet në kllapa edhe një pikëpyetje ose pikëçuditje, ose dhe të dyja së bashku kur përdoren për të shprehur mosbesimin, falsitetin, rezervën për vërtetësinë e asaj që është thënë më përpara
Ç’kish ngjarë? «I zoti i shtëpisë», në rrethana të paqarta, ishte kapur nga policia (? !).

Vazhdon tema.

Mësuesja e gjuhës shqipe
Lejla Gorishti.

Për të ndjekur mësim plotësues të gjuhës shqipe falas mund të kontaktoni :
Tel : 0675270616 ( Lejla)
Facebook : https://www.facebook.com/lejla.gorishti

@laberianews

Loading...