Drejtori i Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura, Vlorë, Nexhip Hysolakoj, tha për ATSH-në se “të shoqëruar nga punonjës të ADZM Vlorë turistët realizuan një shteg mjedisor brenda ishullit ku u njohën me vlerat natyrore dhe kulturore të tij”.
“Aktiviteti vijoi më pas në lagunën e Nartës, e cila renditet e dyta në Shqipëri për nga rëndësia dhe shpendët e ujit”, – tha Hysolakoj.
Sipas tij, turistët ushtruan birdwatching dhe u njohën me llojet e shpendëve të rrallë, flamingo dhe pelikani kaçurrel.
Laguna e Nartës ndodhet në veriperëndim të qytetit të Vlorës, rreth 14 km larg saj dhe ka një sipërfaqe prej rreth 42 km2. Ndahet nga deti Adriatik nga një rrip i ngushtë toke ranore, që përbëhet nga duna rëre dhe plazhe të vegjël pa bimësi të dendur.
Në këtë lagunë bën pjesë dhe Zvërneci, me ishullin e vogël të tij, ku veç të tjerave dallon nga Manastiri i Shën Mërisë, i cili ndodhet në ishullin e vogël dhe ku mund të shkohet përmes një ure të ngushtë druri për këmbësorë.
Laguna e Nartës shpeshherë vizitohet nga flamingot, zogjtë me qafën e hollë dhe të harkuar dhe me këmbët e hijshme./atsh