Duke i referuar aludimit të bërë shpesh se ishte kurban i kryeministrit Edi Rama, Tahiri tha se është fyese për të, pasi kurban nuk do të thotë të shkosh në burg por të mos jesh i lirë. Sipas tij, ka pasur dhe ka në parlament, jashtë parlamentit, në qeveri, jashtë qeverie, në politikë, njerëz që janë kurban edhe pse s’e kanë parë një ditë derën e burgut.
“Se nuk janë të lirë të mendojnë po nuk iu thanë çfarë të mendojnë. Nuk janë të lirë të flasin por nuk iu thanë çfarë duhet të flasin”, u shpreh ai.
Mesazhi Tahirit:
Kurioziteti im është t’i shkoj kësaj rruge deri në fund. Më vlen më shumë drejtësia se sa më vlen kjo histori, se sa partia, pa diskutim. Më keni trembur sa herë më keni pyetur do bëhesh kurban a s’do bëhesh kurban edhe më fyeni kur e bëni si pyetje. Kurban nuk do të thotë të shkosh në burg, kurban do të thotë të mos jesh i lirë. Unë të garantoj që ka pasur dhe ka në parlament, jashtë parlamentit, në qeveri, jashtë qeverie, në politikë, njerëz që janë kurban edhe pse s’e kanë parë një ditë derën e burgut. Se nuk janë të lirë të mendojnë po nuk iu thanë çfarë të mendojnë.
Nuk janë të lirë të flasin por nuk iu thanë çfarë duhet të flasin. Këta janë kurban jo unë. Kam njohur burra që kanë bërë burg, kanë qenë të lirë edhe kur kanë qenë në burg, të lirë edhe pas sepse ka të bëjë sa i lirë je në mendje jo sa të lira i kë duart. Ka të burgosur pa fund nga këta sot që janë të lirë e që qeverisin në emër të kujtdo. Ka një katalog të tërë njerëzish nga 1990 e deri sot, ata janë kurban, unë jo. Unë jo. Dhe ju lutem shuajeni kuriozitetin tuaj në lidhje me të ardhmen time në politikë, nuk është kjo çështja. Unë kam dy vjet që hesht për drejtësinë, nuk kam asnjë kuriozitet sot për të shuar lidhur me ç’do bëhet nesër. Mua më intereson drejtësia. Sa ç’më intereson t’ju bind dhe ju që drejtësinë po e përballoj i vetëm përballë të gjithëve. Pa parti, pa politikë nuk më interesojnë, më intereson drejtësia. Sa i takon deklaratave të ambasadave, dekurajuese edhe përm ua që i dëgjova ato deklarata. E theksoj se në kulturën time nuk flitet për një vendim gjykate që nuk është zbardhur akoma.
Kam propozuar në parlament një pr/ligj për të mos çuar në burg njerëz për gjëra fare të vogla. Më vjen keq që në fillimet e detyrës sime i kemi rënë në qafë dhe këtë po e them sot publikisht. Kur isha ministër e thashë me veprime, me një projektligj që po rri në parlament dhe nuk e miraton njeri. Miratuan projektligjin tim për kafshët, nuk miratojnë këtë.
Për ambasadat? Nuk është në kulturën time të flas për vendimet e gjykatave dhe nuk besoj ndodh dhe në Amerikë që një ambasadë flet mbi një vendim gjykate. E nuk besoj që mund të ekzistojë ndonjë presion më i madh mbi gjyqtarët se sa ky.
Unë po i shkoj deri në fund një rruge, duke respektuar dhe bërë timen për drejtësinë që kërkoj. Edhe kur kam votuar kam bërë timen duke besuar këtë që kam bërë.
Nuk e them që vendimi im ka qenë i gabuar edhe sikur drejtësia të gabojë me mua. Shpresoj shumë që drejtësia të bëjë drejtësi edhe për qytetarët. Nuk më vjen pak keq për të gjithë ata që janë dënuar padrejtësisht, përkundrazi më vjen shumë keq dhe për të gjithë ata të tjerët që ne iu kemi rënë në qafë. Drejtësia nuk varet shumë nga vendimi që do marrë për mua.