Lëvizja Socialiste për Integrim me anë të ish-debutetit të LSI, Endrit Braimllari ka reaguar në lidhje me tërmetet dhe përmbytjet e ditëve të fundit.
Sipas Braimllarit, LSI është e gatshme të ndihmojë banorët e prekur nga kjo situatë. Sipas tij, qeveria nuk po punon për të ndihmuar qytetarët por vetëm po bën propagandë.
Ndër të tjera Braimllari ka hedhur sulme dhe ndaj kryeministrit Rama duke thënë se në vend që ai të jetë në vendin tonë për këtë situatë emergjente ai vendosi të braktisë vendin dhe t’i lërë qytetarët në mëshirë të fatit.
Reagimi i plotë i Braimllarit:
Lëvizja Socialiste për Integrim shpreh solidaritet të plotë për banorët e prekur nga tërmetet dhe nga përmbytja e ditës së djeshme.
Jemi të gatshëm të mbështesim dhe të ndihmojmë banorët me të gjitha mundësitë tona.
Situata emergjente dhe tepër e rëndë me të cilën u përballën qytetarët, tregoi edhe njëherë që kemi të bëjmë me një qeveri dhe kryeministër të papërgjegjshëm!
Kjo qeveri, e bazon punën e saj tek propaganda dhe shoë politik.
Qytetarët panë dje, ministra, deputetë, të cilët dilnin para kamerave për të dhënë shfaqjen e radhës dhe për të zëvendësuar kryeministrin i cili në këtë situatë emergjente, të paparë në 30 vite, vendos të braktisë vendin dhe t”i lërë qytetarët në mëshirë të fatit.
Qytetarët, duan të dijnë qartë:
Sa janë fondet në dispozicion për situatën e tërmeteve?
Sa është gjendja e fondit rezervë?
Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon shpalljen e menjëhershme të gjendjes së emergjencës civile në zonat e prekura nga tërmetet dhe përmbytjet.
Nëse Edi Rama ka vullnetin për t”i shërbyer qytetarëve të këtij vendi, duhet urgjentisht të shpallë gjendjen e emergjencës civile pasi vetëm në këtë mënyrë ligji imponon një dëmshpërblim në masën 100% për çdo dëm që ka prekur popullatën dhe mobilizimin e të gjitha resurseve shtetërore dhe private në përballimin e kësaj situate.
Qytetarët janë lënë në mëshirë të fatit për informimin e tyre, qeveria duhet të ngrinte shtabin dhe njëkohësisht duhet të bëntë publike komunikimin periodik mbi situatën. Komunikim të cilin qytetarët e morën vetëm nga media.
Edi Rama duhet ta këtë shumë të qartë, se vendi nuk drejtohet me korrespondencë apo me propagandë por me veprime konkrete dhe të shpejta.
Kur propaganda bëhet qëllim në vetvete, kjo bën që të ndodhë si në Qarkun e Korçës ku banorët u lanë dhe vazhdojnë të jenë në mëshirë të fatit.