Njoftim për ndarje nga jeta të banorit të Labërisë – Nga Shoqata Kallarati

Njoftim për ndarje nga jeta Nedin Çelo Gjoni
————————————————————-
Sot në datën 26 shtator 2019 iu dha lamtumira e fundit në moshën 92 vjeçare, veteranit kallaratas, Nedin Çelo Gjonit, i cili së bashku me dy vëllezërit e tjerë jetim, Taren dhe Xhemalin u përfshinë me armë në dorë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare deri në çlirimin e vendit nga okupatorët e huaj.
Pas lufte Nedini u radhit në radhët e Ushtrisë Popullore dhe pasi u arsimua dhe u kualifikua në Akademitë Ushtarake brenda e jashtë vendit kreu me përkushtim e devotshmëri e nder një sërë detyrash të rëndësishme për mbrojtjen e hapësirës ajrore të vendit deri në detyrën e komandantit të Artilerisë Kundërajrore në Korpusin e Burrelit.
Pas daljes në pension pleqërie, Nedini u inkuadrua në Organizatën e Veteranëve dhe në Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve të Atdheut, duke punuar pa u lodhur si anëtar i tyre. Ai ishte edhe kryetar i organizatës së veteranëve në lagje, ku dallohej për drejtimin e saj.
Gjithashtu Nedini ishte anëtar me kontribute të vlerësuara në Shoqatën Labëria dhe të vendlindjes Kallarati.

Kryesia e Shoqatës Kallarati, i shpreh bashkëshortes, fëmijëve dhe të afërmve ngushëllimet më të sinqerta!

Qoftë i paharruar emri dhe kujtimi i Tij!

———————————————– ———–
Për më tepër për Nedinin mund të lexoni biografinë e tij me poshte:

Nedin Çelo Gjoni u lind në Kallarat të nënprefekturës së Kurveleshit më 20 janar 1927, në një familje me tradita atdhetare.

Është fëmija i tretë i familjes Çelo Gjoni.
Tre vëllezërit mbetën jetimë qysh në moshë të vogël, pasi të dy prindërit u ndanë para kohe nga jeta dhe për ta për pak kohë u përkujdesën gjyshja e xhaxhai, dhe pasi ndërruan jetë edhe këta, i mori në kujdestari familja e dajës në fshatin Kuç, ku qëndruan derisa shkuan në luftë.

Është ndër rastet e rralla, ku familja inkuadrohet e tëra në luftë. Tre vëllezërit Gjoni Xhemali më i madhi, Tarja e Nedini më i vogli u përfshinë dhe morën pjesë me armë në dorë në luftën nacionalçlirimtare për çlirimin e vendit. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, pasi ata vinin nga një familje e njohur për tradita të atdhedashurisë, patriotike dhe luftarake.

Ata u mbrujtën me dashurinë për vendin e lirinë dhe me urrejtjen për pushtuesit. Gjyshi i tij Belul Gjoni dhe babai luftuan kundër andartëve grekë më 1912–14 dhe kundër pushtuesve italianë në Luftën e Vlorës. Nuk ishin mbyllur ende plagët e pushtimit grek e italian, kur Shqipëria u pushtua sërish nga fashistët italianë.

Tare Gjoni në Korrik të vitit 1943, del vullnetar për t’u rreshtuar në radhët e brigadës së parë sulmuese dhe caktohet në batalionin e parë të asaj brigade.. Ai mori pjesë në shumë luftime që zhvilloi brigada e parë sulmuese. Më 4 Prill 1944, bie në krye të detyrës në luftimet qëbatalioni i parë i brigadës zhvilloi me forcat gjermane ne Balbardhë të Beratit. Me vendim të Këshillit të Misitrave ëshët shpallur dëshmor i Atdheut.

Vëllai tjetër, më i madhi ndër vëllezërit, Xhemali, pasi ishte dërguar për studimet e larta në Itali, ndërpreu ato dhe u kthye në Atdhe për t’u përfshirë në luftën e madhe antifashiste dhe pas clirimit punoi në organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe në atë të Drejtësisë.

Ashtu si të vëllezërit, edhe Nedini mori pushkën dhe në nëntor të vitit 1942 u bashkua me çetën “Sulo Lala” dhe pastaj me çetën “Hajredin Tremishti”. Më vonë, u inkuadrua në batalionin “Ismail Hakiu”, në Grupin e Parë Operativ e pastaj në Brigadën e 14-të Sulmuese. Ai ka marrë pjesë në tërë luftimet e kësaj Brigade në zonën e Sarandës, të Delvinës e të Gjirokastrës deri në çlirimin e tyre e të krejt vendit. Nedini në luftë, edhe pse shumë i ri, u poq para kohe, duke u dalluar për guxim e trimëri dhe duke kryer me nder e dinjitet detyrat e ngarkuara.

Pas çlirimit të vendit, Nedini qëndroi në radhët e Ushtrisë Popullore. Ishte i motivuar dhe i gatshëm për ta vazhduar këtë mision të shenjtë, edhe pse ishte i ndërgjegjshëm se duheshin përpjekje, privacione e sakrifica të shumta. Krahas kryerjes së detyrave të ditës, ai kreu shkollën 7-vjeçare dhe të mesme të arsimit të përgjithshëm në Tiranë. Pastaj i vijoi studimet jashtë vendit, në shkollën ushtarake për artileri kundërajrore në ish-Jugosllavi dhe në ish-Bashkimin Sovjetik dhe në Akademinë Ushtarake për artileri kundërajrore në Tiranë.

Pasi u kompletua me arsimin e nevojshëm civil e ushtarak, Nedini e ndiente veten të aftë si në planin teorik dhe atë praktik për kryerjen me sukses të të gjitha detyrave që iu ngarkuan deri në instancat e larta të Mbrojtjes Kundërajrore.

Nedini është nga ata kuadro që i qëndroi besnik deri në fund armës së tij të dashur të artilerisë kundërajrore, duke shërbyer për rreth 40 vjet. Ai i ngjiti shkallët e karrierës si oficer një e nga një, me aftësi, përgjegjësi, maturi e përkushtim, derisa arriti të kryente detyra të larta në forcat e MKA-së deri atë të Komandantit te MKA-së në korpusin e Burrelit për disa vite, duke e mbyllur karrierën ushtarake në Tiranë.

Për kontributin e madh që ka dhënë gjatë luftës dhe atë gjate 40 viteve për rritjen, forcimin e modernizimin e mbrojtjes kundërajrore të vendit deri në vitin 1984, kur doli në pension të plotë, Nedini është dekoruar me 10 urdhra e medalje të shërbimit ushtarak si dhe me mjaft stimuj të ndryshëm moralë.

Pas daljes në pension pleqërie, Nedini nuk zgjodhi qetësinë e tij personale. Ai u inkuadrua në Organizatën e Veteranëve dhe në Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve të Atdheut, duke punuar pa u lodhur si anëtar i tyre. Ai ishte edhe kryetar i organizatës së veteranëve në lagje, ku dallohej për drejtimin e saj.

Nedini militoi me përkushtim e dinjitet për të mbrojtur vlerat e LANÇ-it, të heronjve e të dëshmorëve të saj si dhe të simboleve e të çdo gjëje tjetër që ka të bëjë me të, duke qenë shumë aktiv në Organizatën e nderuar të Veteranëve të LANÇ-it dhe shoqatën e familjeve të dëshmorëve të Atdheut.

Nedini, edhe pse në moshën 92-vjeçare, ishte tepër aktiv në jetën shoqërore. Ai deri në fund të jetës mori pjesë në të gjitha veprimtaritë që shoqata “Labëria”, shoqata “Kallarati” dhe Organizata e Veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare,
organizonin në Tiranë.

Nga Shoqata Kallarati

Loading...