“Na shkatërruat mushkëritë”, ishte motoja e protestuesve të mobilizuar nga Milano deri në Napoli.
Në të gjithë botën, “Të premtet për të ardhmen” kanë nisur të marrin formë, e vendi ynë fqinj është bërë dhe ai pjesë e kësaj iniciative në rritje.
Tubimet më të mëdha ishin ato në Romë e Milano, me 200 mijë vetë që kanë mbushur rrugët e secilit qytet.
Kryebashkiaku i Milanos, Beppe Sala u bashkua dhe ai me demonstruesit, sepse siç tha “ndan me ta të njëjtin motivim e shqetësim”.
“Në luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe mbrojtjen e ambientit, nuk jemi rivalë, por aleatë”, u shpreh kryebashkiaku.
Organizatorët e manifestimit të Romës thanë se në Piazza della Repubblica nuk ishte parë ndonjëherë një grumbullim i tillë njerëzish.
“Ky është absolutisht tubimi më masiv i të gjithë viteve të fundit”, u shprehën ata.
Protesta pati në një sërë qytetesh të Italisë, përfshirë Firencen, Palermon, Bolonjën e Barin.