Zv/ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi në një reagim për gazetën “SOT”, theksoi se ajo që ka bërë presidenti Meta është shkelje e qartë e Kushtetutës, pasi i kalon kompetencat e tij.
Sipas Koçit Meta ka vepruar jo sipas Kushtetutës, por sipas interesave politike.
“Raporti paraprak i Komisionit të Venecias tregoi që Presidenti nuk ka respektuar Kushtetutën. Pra ka vepruar në përputhje me kalkulime politike jo kushtetuese. Presidenti nuk ka të drejte të anuloje zgjedhje”, u shpreh Koçi në një reagim për gazetën.
Ndërkohë ai vendosi theksin tek legjitimiteti i zgjedhjeve të 30 qershorit, ku sipas tij, të gjithë ata që thanë se zgjedhjet ishin jolegjitime dhe moniste duhet të mbajnë përgjegjësi, duke iu referuar kështu opozitës.
Andaj Koçi theksoi se Meta duhet të kërkojë falje dhe të japë dorëheqjen për veprimin antikushtetues që ka bërë. “Nga ana tjetër 30 qershori konsiderohet legjitim. Ndërsa i ashtuquajturi monizëm në zgjedhjet vendore rezultoi përgjegjësi e opozitës. Prandaj Presidenti Ilir Meta duhet të kërkojë falje publike dhe të ofrojë dorëheqjen”, tha Koçi.