Profesor Servet Pëllumbi reflekton mbi tranzicionin e Shqipërisë – “Zgjodhëm shock-un (shkatërrimin), por harruam terapinë”

“Zgjodhëm shock-un (shkatërrimin), por harruam terapinë”.

Profesor Servet Pëllumbi reflekton mbi tranzicionin e Shqipërisë Eshtë ndër ata që kanë shumë për të thënë, në lidhje me tranzicionin e vështirë të Shqipërisë.

Servet Pëllumbi, ose “profesori”, siç e njohin të gjithë, jo vetëm brenda forcës politike ku ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në vitet ’90 dhe ‘00, Partisë Socialiste, ka bërë një pakt me veten prej 3 vitesh: Nuk do të flasë kurrë më në media, për politikën e ditës.

Një pakt, të cilit i ka qëndruar besnik edhe gjatë bashkëbisedimit me bota.al.

Një studiues serioz i Filozofisë dhe i Politikës, Z. Pëllumbi, i cili ka patur një angazhim të spikatur në politikën shqiptare, qoftë si udhëheqës i Partisë Socialiste në një kohë të vështirë, kur kryetari i saj ndodhej në burg, por edhe si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, ka pranuar të flasë për një temë që e ka fort për zemër, aq sa i ka dedikuar edhe disa prej librave të tij: Tranzicionin e Shqipërisë.

“Qasja që u zgjodh në vendin tonë në fillimet e tranzicionit”, më thotë gjatë bisedës Profesor Pëllumbi, ishte ajo e ‘Terapisë së shock-ut’. Mirëpo, problemi është se as këtë nuk e zbatuam.

Ne vumë në zbatim shock-un, domethënë shkatërrimin, por harruam Terapinë. Eshtë njësoj sikur të operosh të sëmurin, dhe pastaj ta lësh të dergjet, pa i dhënë kujdesin që është aq i domosdoshëm pas operacionit”.

Në atë që vetë Profesori e quan “kohën e Fejsbukut dhe Tuiterit”, kur ideve dhe mendimit politik u lihet gjithnjë e më pak hapësirë, dhe ku kakofonia e zërave të politikës së ditës na shitet si “muzikë”, reflektimi i Profesor Servet Pëllumbit mbi atë çfarë ka ndodhur në këto dekada, nuk duhet humbur kurrësesi.

Z. Pëllumbi, ky vit shënon 30 vjetorin e shëmbjes së Murit të Berlinit, një nga ato ngjarje epokale, kur gjithsecili e kujton “ku ishte dhe çfarë po bënte në ato momente”. Nëse ju vjen ndërmend, ku ndodheshit dhe cili ka qenë përjetimi juaj në atë kohë, mbi ngjarjet që po shpaloseshin, me shëmbjen e barrierës që ndante më dysh Berlinin, Gjermaninë, Europën dhe Lindjen me Perëndimin?

Po, rënia e Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989, ishte një moment historik që u hapi rrugën revolucioneve demokratike në vendet e Europës qëndrore dhe lindore, përfshi dhe Bashkimin Sovjetik, ngjarje që me të drejtë u quajtën “Pranvera e popujve”, për analogji me pranverën e 150 vjetëve më parë, me revolucionet e 1848-51 në Europë.

Është thënë në raste përvjetorësh të rënies së “Murit të Berlinit”, se kjo ngjarje “shënoi fillimin e krisjes së Komunizmit në Europë”! Në të vërtetë, sipas mendimit tim bëhej fjalë për një proces, madje për një lloj përmbylljeje të tij dhe jo thjesht për një “krisje”të komunizmit. Në këtë kohë unë isha pedagog i filozofisë në Universitetin e Tiranës dhe bashkë me shumë studentë, sidomos të Degës së Filozofisë, e përjetuam si një ngjarje që pritej të kishte ndikim të drejtpërdrejtë edhe tek ne. Më kujtohet që të nesërmen në orët e seminarit të Sociologjisë u diskutua kryesisht për këtë ngjarje. Azem Hajdari, lideri i ardhshëm “Lëvizjes studentore”, student i këtij grupi mësimor, u tregua shumë i interesuar dhe aktiv në debat.

A mendoni që shembja e Murit të Berlinit, mijëra kilometra larg Shqipërisë, pati një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e ngjarjeve në vendin tonë?

Pa dyshim. Edhe pse Shqipëria ishte e izoluar dhe në atë kohë ndaloheshin deri dhe antenat televizive, njerëzit me “kapaçkat”, siç u thoshin antenave të adoptuara, shihnin gati rregullisht RAI-Uno, RAI-Due, Rete Quatro, Tv Beogradin, Tv Titogradin, apo dëgjonin “Zërin e Amerikës”. Pra e “çanin rrethimin”, secili në mënyrën e vet dhe pëgjithësisht ishin të informuar, sidomos për ngjarje të tilla epokale si “Rënia e Murit të Berlinit”!

Ka patur shumë kritika mbi mosrealizimin e aspiratave të 1989- ës. Janë kritika të shfaqura në disa vende të Europës Lindore. Edhe rrugëtimi historik dhe politik i Shqipërisë ka qenë disi i pazakontë (për të thënë më të paktën). Ju vetë Z. Pëllumbi, keni patur një rol domethënës në zhvillimet politike, sidomos në vitet ’90. Sot ,kur ktheni kokën pas, si e shikoni këtë rrugëtim të Shqipërisë?

Vërtet ka pasur shumë kritika, zhgënjime, madje humbje besimi, që tek ne shpesh sintetizoheshin me shprehjet: “Shqipëria nuk bëhet”! “Nuk shihet dritë në fund të tunelit tranzicion”, etj. Unë personalisht, që si njeri i politikës aktive për gati dy dekada, ndjej edhe një lloj përgjegjësie për mangësitë dhe zig-zag-et e proceseve demokratike, nuk do të isha dakord plotësisht me shprehje kaq pesimiste. Shqipëria “është e bërë” dhe tranzicioni, si koncept me një përmbajtje të caktuar politike, sipas mendimit tim ka përfunduar me miratimin e kushtetutës të vitit 1998.

Pas kësaj nuk kishte më socializëm në Shqipëri dhe u adoptuan ligjet ekonomike të tregut, u sanksionuan prona private, liritë dhe të drejtat e njeriut, ndarja e pushteteve, rotacioni i pushtetit mbi bazën e votës së lirë etj. Ecja e mëtejshme pas kësaj do të bëhej mbi këtë shtrat, prandaj lëvizja dhe zhvillimi i mëtejshëm nuk ishin më tranzicion i kalimit nga një sistem në tjetrin, pra nga socializmi në kapitalizëm. Defektet në sejcilën prej këtyre fushave dhe fakti që demokracia tek ne vazhdon të jetë hibride dhe zhvillimi ekonomik i ngadaltë dhe pa ndonjë model konsensual të ekonomisë së tregut, nuk duhen parë si tregues i vazhdimit pa fund të tranzicionit politik, por si përgjegjësi e politikës dhe e politikanëve. As pakënaqësitë dhe zhgënjimet e qytetarëve ndaj politikës dhe politikanëve për modelin, nivelin dhe ritmet e zhvilimit të Shqipërisë dhe as fakti që shumë njerëz nuk dinë ç’të bëjnë me lirinë e tyre, nuk mund të jenë kritere të “tranzicionit të pa përfunduar”. Paqartësia teorike për këtë çështje, fatkeqësisht, vazhdon të prodhojë një luftë politike shterpë midis poitikanëve të të gjitha krahëve.

Thënë ndryshe, kanë ndodhur ndryshime të thella në procesin e kalimit nga ekonomia e komanduar dhe shteti totalitar në ekonominë e tregut dhe demokracinë liberale, gjë që është pozitive dhe prandaj janë mirëpritur në masë nga shqiptarët. Për shkak të profesionit, jam përpjekur të kombinoj veprimtarinë time politike me studimin hap pas hapi të proceseve demokratike në Shqipëri. Për veçoritë dhe rrugët e ndjekura deri tani kam botuar disa libra, ndër të cilët do të veçoja: “Dritëhije të tranzicionit” (2000); ”Të mendosh ndryshe” (2001); “Edhe politika do moral” (2005); “Pluralizmi politik-përvojë dhe sfida (2006); “Demokracia dhe zëri i moralit” (2008); “Bashkëbisedim për politikën”(I,II,III), “Përmbysja e komunizmit” (2015), “Pluralizmi i dytë (2016) etj.

Megjithatë, e them në mënyrë kritike dhe autokritike, se mendimi politologjik e sociologjik shqiptar ende nuk po e thotë fjalën e vet për shumë aspekte të tranzicionit post-komunist për të njohur e zgjidhur kundështitë e demokracisë si proces, për të përcaktuar qëllime të qarta strategjike për stadin në të cilin ndodhemi dhe ku duhet të shkojmë në të ardhmen afatmesme dhe afatgjatë. Për pasojë, fatkeqësisht, vazhdon një varfëri ideore dhe konfuzion i zgjatur lidhur me nevojën e dallimit të modelit normativ të demokracisë dhe të formës reale të saj, në një stad të dhënë.

Po e konkretizoj idenë me kuptimin që kanë disa nga liderët e partive kryesore politike, majtas e djathtas, që dobësitë e tyre subjektive, apo të qeverive që kanë zëvendësuar njëra-tjetrën, vazhdojnë t’ia faturojnë njëri tjetrit pa arritur, për interesa meskine, që të dialogojnë seriozisht dhe të punojnë së bashku për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë. Ndërkaq, liderët nuk shkruajnë e lexojnë asgjë tjetër përpos prononcimeve, mesazheve dhe batutave, sharjeve e fyerjeve për njëri-tjetrin në Facebook, apo Twitter! Duket u intereson më tepër “kaosi dhe mjegullnaja”!

Le të bëjmë një udhëtim pas në kohë, me 30 vite. A jeni në gjendje të kujtoni, si e imagjinonit Shqipërinë pas 2 apo 3 dekadash, në atë vit të largët 1989?

Për të qënë i sinqertë me veten dhe me ju që më pyesni, unë nuk kam qenë dhe aq optimist, sepse pata dëgjuar një ekonomist të shquar gjerman, i cili në një bisedë me disa studjues të ish vendeve socialiste që tregoheshin euforikë, u tha: Dakord, duhet edhe enthusiazmi, por mbani parasysh se nuk ka gjë më të vështirë sesa ndërrimi i sistemeve…! Kuptohet, isha i bindur për rrugën e reformave të ekonomisë së tregut dhe mendoja se brënda 15-20 vjetëve Shqipëria do të kishte një shoqëri demokratike të tipit perëndimor, të gatshme për t’u integruar në Bashkimin Europian. Tani them, se paskam qenë euforik, sepse këtë nuk e kemi arritur as pas tre dakadash!

Është thënë, se vendet e Europës hynë në periudhën post-komuniste duke zgjedhur qasje të ndryshme. Ata shtete që zgjodhën një qasje radikale ndaj tranzicionit – një lloj “big bang”-u – e përfunduan më shpejt këtë proces (si Republika Çeke, Polonia, apo dhe Sllovakia), ndëkohë që shtetet e tjera që e “humbën vrullin” dhe zgjodhën një qasje më graduale (Hungaria dhe Sllovenia) mbetën më mbrapa. Sipas këndvështrimit tuaj, cilën qasje zgjodhi Shqipëria. Dhe a ishte e duhura?

Është fakt që relativisht më lehtë e patën shkëputjen nga “traditat komuniste” Polonia, Çekia e Sllovakia, si ish pjesë e shtetit të Çekosllovakisë, sepse në këto vende pati përvoja të lëvizjeve demokratike. Në Poloni, bije fjala, ndikim pati veprimtaria e Solidarnostit, sindikata e parë e pavarur në blokun lindor e drejtuar nga Les Valesa. Solidarnost nisi të veprojë legalisht që nga viti 1981, kurse në vitin 1988 pas një greve në nivel kombëtar, detyroi Jaruzelskin të ulet në tavolinën e bisedimeve. Më 9 mars 1989 u arrit marrëveshja për reformën parlamentare dhe parlamenti u bë bi- partiak; në qershor 1989, pas zgjedhjeve parlamentare, u formua qeveria e parë jo komuniste me një program solid reformash. Les Valesa u zgjodh president!

Një proces i tillë i përshpejtuar ndodhi edhe në Çekosllovaki, që vinte nga një përvojë unikale, si ajo e Pranverës së Pragës (1968). Kështu, më 17 nëntor 1989 nisën mitingjet masive të studentëve që u shoqëruan me përleshje me policinë, kurse pas tre ditësh, më 20 nëntor, numri i demostruesve arriti deri në gjysëm milioni; pas një jave më 28 nëntor Partia kmuniste e Çekosllovakisë shpalli heqjen dorë nga monopoli mbi pushtetin; më 10 dhjetor presidenti Husak pranoi qeverinë e parë jo komuniste dhe dha dorëheqen; më 28 dhjetor A.Dubçek, lider i “Pranverës së Pragës”, u zgjodh kryetar i parlamentit Federal; një ditë më pas, më 29 dhjetor Vaclav Havel, dramaturg dhe disident i njohur, u zgjodh në postin e Presidentit të vendit. Pra, gjithçka ndodhi gati brenda 40 ditëve!

Të vijmë tek përvoja shqiptare. Në kohën që vendet ish socialiste të Europës qëndrore dhe lindore, përfshi dhe BS, “zienin”në vorbullën e revolucioneve demokratike, Shqipëria vazhdonte të qëndronte plotësisht e izoluar dhe të zhytej të krizën e vet të përgjithshme, duke u “ngushëlluar” me sloganin ramizist: “Shqipëria nuk është as Lindje as Perëndim, prandaj do të vazhdojë të mbrojë socializmin me forcat e veta”! Pas gati dy vjetësh zvarritjeje Ramiz Alia do të deklaronte, jo pa mburrje: “Bëra qa sa munda për të evituar gjakderdhjen dhe përmbysjen e çdo gjëje në emër të një antikomunizmi primitiv…”! (Për më hollësisht ju ftoj të lexoni librin: “Përmbysja e komunizmit”, 2015)

Ndërkaq, edhe pas Lëvizjes studentore të dhjetorit 1990, zvarritjet ndryshuan vetëm formën. Vërtet u lejua nën presionin e Lëvizjes studentore, që pati mbështetje të gjerë popullore, pluralizmi politik dhe krijimi i partive të tjera politike, por Ramiz Alia u përpoq që gjithçka të ishte nën kontrollin e tij dhe të PPSH-së. Nga dhjetori deri në mars 1991 u krijuan rreth 17 parti politike, një pjesë e të cilave në sallën 80 të godinës së Komitetit Qëndror të PPSH-së! Edhe “eksodi i ambasadave”, fundi qershorit fillimi i korrikur 1991, u përdor si “valvul shkarkuese” nga të rinjtë e pa kënaqur nga regjimi socialist, sepse vazhdonte iluzioni i vazhdimit të “socializmit shqiptar”, që përsëri etiketohej “si kala në brigjet e Adriatikut”!

Të gjitha këto bënë që kriza të thellohej dhe të mendohej, se komunizmi në Shqipëri “ka rrënjë të thella”. Edhe pse askush nuk e dinte dhe nuk e tha sa të thella ishin…! Megjithatë, u përdor si “argument”, se në Shqipëri duhej shkatërruar gjithçka. Promotore e një zgjidhjeje të tillë u bë Partia Demokratike, që fitoi pushtetin me zgjedhjet e 22 marsit 1992. Mjeti që u përdor: “Çeku i bardhë” dhe sindikatat e pavarura. Për pasojë në vend të reformave rigjeneruese, u zgjodh rruga e 80 përqindëshit, që u paguhej punëtorëve pa punuar. Ndërmarrje të tëra industriale u mbyllën si “jo rentabile”, të shoqëruara me një lloj “lëvizjeje ludiste”, që i hapi rrugën shkatërrimit të industrisë së vendit dhe shitjes së makinerive për skrap!

Nuk u kursyen as vepra të tilla si Uzina e traktorëve në Tiranë, Uzinat e preçizionit dhe stampave në Korçë, Uzina e telave të bakrit në Shkodër, metalurgjia e bakrit në Rubik e Laç, Azotiku i Fierit etj, etj. Ndërsa në Poloni, Çekosllvaki e gjetkë filloi të adoptohej “Terapia e shock-ut” për çmontimin e ekonomisë së komanduar dhe kalimin në ekonominë e tregut, por me theksin tek terapia, tek ne edhe pse flitej për “Terapinë e shock-ut”, theksi u vu tek “Shock-u”, pra tek shkatërrimi, pa u shoqëruar nga terapia. Pasojat ishin katastrofike e vështirë t’i numërosh. Gjithkush në Shqipëri, por edhe turistët e huaj që po shtohen nga viti në vit, mund të shohin e të fotografojnë rrënojat e shumta të kësaj badërdije!

Rrugë shkatërruese u ndoq edhe në procesin e privatizimit. Ndërsa në Poloni, Çeki, ish Republika Demokratike Gjermane privatizimi synonte bërjen rentabile të ekonomisë duke ua dhënë me çmim simbolik, apo dhe pa pagesë, atyre që paraqisnin plan-biznesin më të mirë, tek ne u mjaftua vetëm me ndërrimin e pronarit, proces që drejtohej nga bordet e privatizimit, në të cilët bënin pjesë deri dhe shefa policie! Mjaftonte që shteti të zhvishej nga mjetet e prodhimit dhe objektivi quhej i realizuar! Kalimi në ekonominë e tregut u bë kështu pa zgjedhur asnjë nga modelet e njohura në Perëndim, por duke u zvarritur drejt “kapitalizmit të egër”, si i kohës së Dikensit…!

Përgjegjësi e rëndë për klasën politike dhe qeveritarët e fillimit të tranzicionit post-komunist! Mirëpo, strategjia e shkatërrimit të gjithçkaje u inkurajua edhe nga faktorë të jashtëm, shoqëruar me “premtimet lumë”! Më pas u kalua tek parimi: “Ne nuk u japim peshk të gatshëm, por u mësojmë si ta zini vetë atë”! Veçse, as kjo nuk u arrit, sepse nuk njihnin “ujërat tona”! Ndërkohë, edhe pse teza enveriste: “Edhe bar do hamë ne shqiptarët, por parimet nuk i shkelim”, u shkri si kripa në ujë, “shkatërruesit tanë” as sot nuk kanë reflektuar dhe vazhdojnë të flasin për “rrezikun komunist në Shqipëri”!!!

93 % e shqiptarëve janë pro integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gjë që na bën ndoshta popullin më proeuropian, në një kohë të lulëzimit të populizmave dhe ekstremizmave. Megjithatë, sot tre dekada më vonë, Shqipëria “ende pret tek porta”. Pse kjo vonesë? Ç’shkaqe e faktorë, mendoni, se kanë ndikuar që ta humbasim “trenin e integrimit” gjatë këtyre 30 vjetëve?

Jam dakort me konstatimin tuaj, shqiptarët, duke qënë një popull europian, që herët kanë qenë të lidhur me kombe të qytetëruara europiane dhe me SHBA, madje edhe ekzistencën e vet si shtet e kanë parë të lidhur me ndihmën dhe mbështetjen e tyre, përballë lakmive të fqinjëve për copëtimin e trojeve Shqipëtare. Prandaj, shifra që përmendët ju, përfaqëson si mirënjohjen, ashtu dhe aspiratën e popullit tonë që e lidh të ardhmen e vet pa hezitim me Bashkimin Europian!

Lidhur me vonesat e njohura në procesin e integrimit. Qarkullojnë opinione dashakeqe, se Europa e Bashkuar vonon integrimin e Shqipërisë, sepse e sheh si shtet me shumicë muslimane! Në të vërtetë, faji për vonesat është në fushën tonë, më saktë në atë të politikës shqiptare, që rrallë, shumë rrallë ka folur me një zë për integrimin, për të mos thënë se ka pasur edhe krijim situatash politike sabotuese. Më ka qëlluar, për shkak të detyrës, që në takime me personalitete të njohura të politikës europiane, të dëgjoj për disa nga drejtuesit e atëhershëm të Shqipërisë shprehjen: “Vetëm nga disa politikanë të lartë shqiptarë kemi dëgjuar që të shajnë atdheun e tyre, për të denigruar kundërshtarët politikë”! Është një fakt i trishtë që, fatkeqësisht, vazhdon edhe sot…!

Një moment tjetër. Që në fillimet e pluralizmit, por edhe tani në protestat e opozitës, vazhdon të brohoritet: “E duam Shqipërinë, si gjithë Europa”! Duke qenë parrullë e drejtë, si shprehje e një dëshire, në thelb, ajo përmban rrezikun që integrimin ta presim të na i japin si lëmoshë, gjë që e bën atë të dëmshëm në radhë të parë për vetë ne shqiptarët. Kryesore është që “ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”, duke integruar në proces, këtu brënda vendit, faktorët ekonomikë, politikë, socialë e kulturorë që nuk mungojnë. Ky do të ishte integrimi real e me dinjtet, për të cilin duhet të punojmë të gjithë bashkë, duke u ngritur mbi dallimet partiake dhe etjen për pushtet! Ndryshe, siç thoni ju në mënyrë figurative, do të vazhdojmë ta humbasim “trenin e integrimit”, pa hipur asnjëherë në të!

A mendoni se klasa politike shqiptare në tërësi-në të gjithë spektrin e saj, ia ka dalë që të ngrihet në lartësinë e peshës dhe rëndësisë që kjo periudhë 3-dekadëshe ka në historinë e shqipërisë?

Po e them copë që në fillim të përgjigjes: Jo nuk ia ka dalë të ngrihet në lartësinë që kërkonte koha, madje niveli i saj politik, etik dhe profesional në vend që të ngrihej, ka ardhur duke rënë ndjeshëm gjatë tre dekadave. Kjo, sipas mendimit tim, ka ndodhur për dy arsye kryesore:

Së pari, nga që intelektualët e mirëfilltë nga radhët e profesorateve të Universiteteve apo shkollave të tjera të larta dhe Instituteve studimore, shumë të përkushtuar në fillimet e tranzicionit, u larguan të zhgënjyer nga politika hileqare dhe u distancuan, apo dhe u larguan nga lidershipet e partive politike që s’donin rivalë;

Së dyti, sepse skenën politike filluan ta dominojnë politikanë të tipit ëeberian, që rrojnë e pasurohen nga politika dhe jo ata që “rrojnë për politikën”. Politikanët e këtij tipi që i hapën rrugën korrupsionit dhe u korruptuan sipas parimit: “shih rrushi rrushin e piqet” (!), e shndërruan politikën në pazar interesash, në lojë kalamajsh “ku ka mshefti”, në strategji të konflikteve destabilizuese dhe të “drejtimit përmes kaosit”.

Për rrjedhojë, pluralizmi politik erdhi duke u bërë fiktiv,me një shumësi partish jashtë çdo logjike sociale dhe politike. As në ditët e sotme nuk kemi një sistem politik të mirëfilltë, sepse partitë, majtas e djathtas, kanë filluar të ngjasojnë me një arqipelag ishujsh, që “as japin e as marrin” me njëri-tjetrin. Fundi është tragjik për vetë partitë, që sot ekzistojnë kryesisht si emra, me anëtarësi të lëshuar dhe me fanatikë të rralluar, që vazhdojnë të jetojnë me nostalgjinë e viteve të para të pluralizmit politik.

Nuk është herë e parë që jam kritik për këtë çështje, sepse e kam studiuar në vite dhe mendimet e propozimet e mia i kam shtjelluar hollësisht në librin “Pluralizmi i dytë“. Që në titull kam dashur të theksoj se pluralizmi i dikurshëm ka dështuar dhe se duhet një reformim i thellë i sistemit politik, për të kaluar në një pluralizëm të dytë, me vizion e ide të reja, me njerëz të rinj (jo vetëm si moshë), të emancipuar dhe me moral të lartë qytetar. Vetëm kështu mund të rikthehet besimi i qytetarve tek politika dhe politikanët e së ardhmes, që “nuk mbyten në dy pika uji”, siç po ndodh sot!

Themeli i një shoqërie demokratike perëndimore është sundimi i ligjit. Sa mendoni se e kemi “ndërtuar” këtë themel gjatë tranzicionit post-komunist shqiptar?

Formalisht e kemi ndërtuar. Kemi një Kushtetutë të nivelit europian të përpunuar nga konstitucionalistët tanë më të mirë në bashkëpunim me Komisionin e Venecias dhe të miratuar në parlament dhe në një referendum popullor në vitin 1998. Kemi tashmë edhe një legjislacion të përafërt me atë të vendeve të BE-së, që vazhdon të përsoset. E megjithatë nuk mund të themi se tashmë kemi një shtet ligjor funksinal.

Vazhdon të na mungojë “diçka” thelbësore: vullneti politik për zbatimin e ligjeve, ndërgjegja juridike e barazisë para ligjit, që kanë instaluar pandëshueshmërinë dhe një pushtet gjyqësor të korruptuar keqas. Kjo realisht na distancon ndjeshëm nga shoqëria demokratike perëndimore. Le të shpresojmë tek transformimi i thellë që pritet të sjellë reforma e fundit në drejtësi dhe pastrimi përmes Vetingut nga korrupsioni, të korruptuarit dhe të paaftët në sistemin e drejtësisë. Vazhdoftë një pastrim i tillë edhe në politikë!

Nuk ka dyshim se rrugëtimi i vështirë, plot gropa dhe pengesa i Shqipërisë në këto tre dekada, na ka zbritur të gjithëve me këmbë në tokë dhe na ka bërë më realisë për atë çfarë duhet të presim nga e ardhmja… Çfarë mendoni se rezervon kjo e ardhme për Shqipërinë?

Sa mirë do të ishte sikur “të gjithë” të kishin nxjerrë mësime “nga gropat dhe pengesat e deri tashme”! Fatkeqësisht, kjo nuk mund të thuhet për politikanët tanë, sidomos të ditëve të sotme që e ritheksoj, i përkasin tipit të politikanit që rron e pasurohet nga politika dhe jo tipit realist, të ndershëm e të përkushtuar, që rron për politikën dhe të ardhmen e atdheut të tij!

Një pyeje e fundit: Ku e shihni Shqipërinë, në 2049?

Në vitin 2049 Shqipërinë e shoh si anëtare aktive të Bashkimit Europian. Veçse me një kusht: vetëm në qoftë se BE, së pari, do të arrijë të tejkalojë krizën e ideve, prirjet nacionaliste disintegruese që po vijnë duke u rritur, dhe, së dyti, të thellojë integrimin për ta ngritur Bashkimin Europian nga bashkësi shtetesh, në bashkësi popujsh. Ndryshe, mund të mos jetë më në vitin 2049!

Ju faleminderit Profesor.

Intervistoi: Ermal Gjinaj / bota.al
Burimi bota.al

Loading...