Mazhoranca nuk do të tërhiqet nga kërkesa për shkarkimin e presidentit.
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla, në një intervistë për RTV Ora shprehet se do të paraqesë komentet e selisë rozë në takimin që do të zhvillojë me Komisionin e Venecias.
Nga ana tjetër kreu i grupit socialist thekson se nuk do të pranojë as komisionin me ndërkombëtarë për reformën elektorale të kërkuar nga PD, por dhe as ndryshimin e sistemit që propozon opozita e re.
Edhe pas publikimit të draft-opinionit të Venecias, për mazhorancën nuk ka asnjë dyshim që presidenti Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën me dekretin për anulimin e zgjedhjeve.
Në një intervistë për RTV Ora, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla shprehet se do të jetë i pranishëm në seancën plenare të Komisionit të Venecias për të treguar, sipas tij, shkeljet kushtetuese të Kreut të Shtetit.
Balla: Në të drejtën kushtetuese shkelja është gjithmonë e rëndë sa herë kryhet me dashje.Kjo jo është e rëndë, por është shumë e rëndë. Vetë Ilir Meta e di që ka bërë një shkelje të rëndë të Kushtetutës.
Për deklaratat e dhëna nga ana e Ilir Metës se “Luani i Venecias” nuk ka frikë nga Venecia, Taulant Balla mendon t’i japë atij një këshillë miqësore si ish-aleat i PS.
Balla: Hiq dorë ga cënimi apo vlerësimet negativiste përkundrejt institucioneve të gjithëpranuara ndërkombëtare si të paanshme.
Nga ana tjetër PS nuk do të marrë parasysh propozimin e PD për strukturë të re për reformën zgjedhore, madje as kërkesën e opozitës së re për ndryshim të sistemit.
Balla: PD është mësuar të vendosë kushte që as vetë nuk i kupton. Sot Shqipëria ka detyrimin të plotësojë rekomandimet e ODIHR. Çështje që lidhen me sistemin zgjedhor nuk kanë të bëjnë fare me rrugën europiane të Shqipërisë, janë teka dhe tekanjozë.
Taulant Balla është i bindur që kushtet e fazës së parë të vendosura nga Bundestagu gjerman do të bëhen realitet brenda 2019.
Balla: Dita jonë e pavarësisë do të na gjejë me të paktën 5 anëtarë në Gjykatën Kushtetuese, që është kuorumi i nevojshëm për funksionalitetin e kësaj gjykate.
Për vendet skeptike si Franca dhe Holanda, PS i bën thirrje BE që të mbajë përgjegjësi për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi sipas saj integrimi nuk duhet të mbetet peng i problemeve të brendshme.