Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, reagoi pas deklaratës së kryeministrit për qendrimin e CDU-së në Bundestag lidhur me hapjen e negociatave për Shqipërinë.
“Edi Rama bëhet gazi i botës dhe bën vlerësime për CDU-në gjermane! – shkroi Vasili. – Edi Rama gajasi dynjanë, vërtet u bë gazi i botës. Bezdiset fort Rama se CDU është shumë e informuar për Shqipërinë!
Ky është mësuar me këto mediat e supës së Rilindjes që gënjejnë 24 orë në diëe dhe mbase Rama do që CDU-ja të dëgjojë ato.
Mbahu Edi Rama, se le nam. Ti je hiçgjë përpara CDU-së, që e ka çuar Gjermaninë në krye të Evropës, jo si ti që e çove Shqipërinë në fund të Ballkanit.
Lexojeni ç’thotë ky mysybet kryeministri ynë për CDU-në gjermane: “CDU-ja është partia më e informuar në botë dhe e kemi pasur të vështirë. Është partia më e informuar, por edhe më e dezinfomuar, pasi ka kontakt të vazhdueshëm në Shqipëri” citoi Vasili, Ramën.
Reagimi i Vasilit erdhi pas kryeministri tha në një konferencë shtypi sot se “me Parisin jemi duke komunikuar për tërmetin. Sa për negociatat, nuk do të lodhem së përsërituri që nuk varet nga ne. Nuk varet nga ne! Varet nga të tjera arsye jashtë nesh!
Ndërsa në Bundestag ne kemi një marrëdhënie tjetër, për shkak të një angazhimi tjetër në raport partiak me Shqipërinë, CDU është partia politike më e informuar në botë por edhe vetmja…kështu që s’është një rast i përgjithshëm – dhe më e dezinformuara njëkohësisht, se ka kontakt të vazhdueshëm me Shqipërinë..
Përderisa ne kemi kaluar edhe Bundestagun gjerman, domethënë se s’ka asgjë më që lidhet me ne. Vizionin për ndryshimin e BE që ka Presidenti i Francës nuk e ndikon Gjykata Kushtetuese në Shqipëri. Këto s’janë fare ne sferën e tij.
Nuk jam në gjendje të them se cili është përfundimi, por Franca është një nga dy themeluesit e BE dhe ka të drejtën të shohë ndryshe dhe të drejtën të mos e ketë mendjen tek ne, pavarësisht se sa e padrejtë mund të na duket ne.
Sidoqoftë, është shumë e rëndësishme që kemi kapërcyer barrierën e Bundestagut. Kemi një PO që është e qartë, ka dy kushte që janë plotësisht të realizueshme brenda këtij viti, qoftë reforma zgjedhore, qoftë edhe plotësimi i Gjykatës Kushtetuese, vënia në funksionim e Gjykatës së Lartë dhe SPAKU-t dhe të tjerat nuk janë më në dorën tonë.