Deputetja e opozites parlamentare Rudina Hajdari e cilësoi kryeministrin Edi Rama si “delja e zezë” që nuk po lejon integrimin e Shqipërisë në BE.
Ne seancen e Kuvendit, Hajdari tha se duhet ndryshuar ky sistem, i cili sipas saj, është shfrytëzuar dhe keqpërdorur deri në fund nga kryetarët e partive.
Deputetja theksoi se ka frikë, për shkak se Ditmir Bushati apo Pandeli Majko mund të marrin më shumë vota se kryeministri në zgjedhje.
“Qeveria bën propagandë gjithandej. Jemi ne dhe ky kryeministër që e ka bërë këtë vend, që shqiptarët të largohen masivisht. Kryeministri është delja e zezë sot, që nuk po i lejon shqiptarët të bëhen pjesë e BE.
Rama gënjen herë pas here dhe nuk tregohet i sinqertë.
Ne duhet ta ndryshojmë sistemin, sepse e vetmja votë e lirë që do vijë këtu dhe të vetmin njerëz që do e përfaqësojnë këtë Parlament do jenë ata që iu shërbejnë qytetarëve. Sot qytetarët kanë humbur besimin dhe ne duhet të bëjmë çdo gjë për të rikthyer besimin.
Arsyeja pse jam futur në politikë dhe do vazhdoj të jem këtu është vetëm për të çuar përpara axhendën evropiane. Vendimi final për çeljen e negociatave nuk është fitore për partitë. Qëllimi është një interes që shkon përtej partive apo individëve. Është kjo elitë politike që ka mbjellë pesimizëm. Ne do jemi opozita e parë e këtij vendi që në 30 vite tranzicion vendosëm të vëmë vendin para partisë. Ndihem krenare që jam nismëtare e kësaj rezolute, që ne t’i çojmë përpara detyrat tona, duke vendosur interesin e vendit para çdo gjëje tjetër.
Ky sistem është shfrytëzuar deri në fund nga kryetarët e partive, është sistemi më i keq që ka përdorur Shqipëria.
Edhe pse jam në opozitë, dua të sjell një shembull të ri që luftoj përballë një shoqërie maskiliste. Unë nuk jam ushqyer me bukën e kalbur që të dua partinë para vendit tim.
Një vlerësim negativ për Shqipërinë do t’i shtynte shanset tona për të paktën 3-4 vite. Vendimi duhet të ishte marrë që prej vitit 2017, por problemet tona të brendshme e shtyn. Shqipëria ka bërë hapa pas, dështoi me zgjedhjet lokale, ka presion mbi mediat, një opozitë të gjymtuar që sillet në mënyrë destruktive. Gjatë kësaj periudhe ka pas një progres të lehtë në procesin e Vettingut, ngritjen e KLGJ, KLP, etj”, tha Hajdari.