Meta tha sot për herë të parë se kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e ka gënjyer, sipas tij, lidhur me këtë çështje.
Ndërsa theksoi se nuk ka bërë asnjë marrëveshje me Berishën apo Bashën, Meta tha se Kryemadhi i kishte shkruar mesazh se ata nuk do t’i linin mandatet.
“Zero marrëveshje midis meje dhe Berishës! Zero marrëveshje midis meje dhe Lulzim Bashës! Zero marrëveshje mes meje dhe Monika Kryemadhit! Dhe mund t’ju them se edhe ajo më ka gënjyer për çështjen e mandatave kur unë kam qenë në Gjermani dhe i kam shkruar në “Whatsapp” se kjo është një marrëzi, nuk duhet të ndodhë në asnjë mënyrë. Ajo më tha: pa problem se edhe po ndodhi kjo mund të jap vetëm unë dorëheqje për arsye solidariteti, etj., po ata të tjerët nuk do t’i lënë mandatet.
Dhe në fakt ndodhi gjë tjetër. Unë qëndrimet e mia ua kam thënë me kohë, qyshkur kur e kanë hedhur idenë e djegies së mandateve prej një viti e ca, që kjo është një rrugë tepër e gabuar dhe e kam thënë edhe publikisht shumë kohë para se të ndodhte kjo gjë, që mos mendoni që askush në Bruksel nuk do të qëndrojë pa gjumë se do të djegë opozita mandatet parlamentare.
Se kur nuk ndjenjë pa gjumë ata, që u zgjodh Prokurori i Përgjithshëm në mënyrën më antikushtetuese dhe më të shëmtuar këtu dhe kur nuk ndenjën pa gjumë ata që unë kam 3 vjet që u them se do të mbetemi pa Gjykatë Kushtetuese dhe kjo do të nxjerrë çdo gjë jashtë kontrollit e do të përshkallëzohet kushtetuese, etj., sigurisht që nuk kishte të qëndronin pa gjumë ata se lanë këta mandatet parlamentare dhe ikën”, deklaroi presidenti Meta mbrëmjen e sotme, në emisionin “Opinion”