Policia ka mundur të arrestojë autorin e plagosjes së efektives së policisë.
18 vjeçari Daniel Drobaj plagosi gjatë protestës së djeshme, 24 vjeçaren Ina Nuka, pjesë e grupit ‘Shqiponja’. Drobaj hodhi një kapsolle drejt efektives, e ndërsa kjo e fundit në tentativë për t’a larguar, humbi dy gishtat e dorës së djathtë të saj.
Ina Nuka u nis mbrëmjen e sotme drejt Turqisë për kurim.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Policisë Tiranë identifikojnë dhe kapin në kohë rekord autorin e plagosjes së efektives së Policisë, shtetases Ina Nuka.
Nga shërbimet e Policisë Tiranë falë një pune të mirë organizuar hetimore u bë identifikimi dhe kapja në kohë rekord e autorit të plagosjes, shtetasi Daniel Drobaj, 18 vjeç, banues në Tiranë.
Në ngarkim të këtij shtetasi do të referohen materialet pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe në manifestime të paligjshme”, “Prishje e rendit dhe qetësisë publike” si dhe “Goditja për shkak të detyrës”.