Zbardhet dëshmia e 13-vjeçares – Inskenoi rrëmbimin dhe ngriti në këmbë policinë

Zbardhet dëshmia e 13-vjeçares nga Tiranë, e cila të premten inskenoi rrëmbimin e saj, për t’u hakmarrë ndaj prindërve që nuk e lejonin që të dilte me bashkëmoshatarët.

Burime nga grupi hetimor kanë konfirmuar se 13-vjeçarja ka shpjeguar arsyen se përse e ka trilluar të gjithë këtë histori.

Burime i thanë Abc News se adoleshentja ka deklaruar se e kishte lënë për të dalë me miqtë e saj, pasi njëra nga shoqet e klasës kishte ditëlindjen.

Ajo ka rrëfyer se prindërit nuk e linin që të dilte edhe për shkak të sëmundjes së diabetit nga e cila vuan e mitura.

I njëjti burim thekson se 13-vjeçarja ka sqaruar se gjithçka e ka planifikuar me të motrën 9-vjeçare, të cilës i ka thënë se në shtëpi duhet të thoshte se e kishin rrëmbyer dy persona me makinë të kuqe.

Por, burimet nga uniformat blu saktësojnë se adoleshentët janë larguar me autobus dhe se kanë qëndruar në një qendër tregtare për të konsumuar një pije.

Po i njëjti burim sqaron se mamaja e të miturës është shprehur se nuk ka pasur dijeni për ditëlindjen.

Ndërkaq, Prokuroria për Krimet e Rënda ka nisur hetimet për rrëmbimin e 13-vjeçares nga Tirana, por pa ngritur akuzë për rrëmbim personi.

Sipas organit të akuzës vajza ka vendosur vetë të largohej nga shtëpia dhe me pas ka lajmëruar familjen për vendin ku ndodhej. Të njëjtat deklarime kanë dhënë në Policinë e Tiranës dhe shokët e 13-vjeçares.

Miqtë e saj kanë sqaruar se ajo ishte e privuar për të dalë me ta për shkak se prindërit nuk e lejonin. Gjithashtu ata kanë thënë se kanë qenë në dijeni të inskenimit të rrëmbimit, por se nuk kanë qenë dakord me veprimin e bashkëmoshatares së tyre.

Loading...