Kancelaria gjermane Angela Merkel nesër pritet ta bindë personalisht presidentin francez Emanuel Makron që të mos bllokojë datën e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Por gjithnjë e më të fuqishëm janë zërat se Parisi nuk do të heqë dorë nga miratimi i strategjisë së re për bisedimet gjë që do të shtynte dhënien e datës për vitin e ardhshëm. Sipas Radios Evropës së Lirë, në draft konkluzionet e përgatitura nga Finlanda, si kryesuese e BE-së parashikohet që konferenca e parë ndërqeveritare, të mbahet në gjysmën e parë të vitit 2020.
Megjithatë kryeministri maqedonas Zoran Zaev nuk ka humbur optimizmin. Sipas tij çështja e metodologjisë së zgjerimit të BE-së nuk duhet të shtyjë dhënien e datës.
Debati për metodologjinë e zgjerimit nuk guxon që të jetë arsye që ne të mos e marrim datën për fillimin e negociatave apo vendimin për fillimin e negociatave. Atë vendim unë besoj se ne do e marrim. Të gjitha vendet që së shpejti janë anëtarësuar kanë bërë më pak prej nesh. 06-10 Presim që BE-ja ta mbajë fjalën – deklaroi Zoran Zaev – Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Kreu i VMRO-DPMNE-së opozitare, shprehet mjaft skeptik për marrjen e datës, ndërsa arsyet kryesore të ngecjes sipas tij janë miratimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve si dhe trajtimi i Maqedonisë së bashku me Shqipërinë.