“Labëri sa i dua Pyllet e kodrat e tua. Ato gryka ata male,Ku dhe zogu shkon ngadale.”

PËR LABËRINË!
Andon Zako Çajupi!

Labëri sa i dua
Pyllet e kodrat e tua.
Ato gryka ata male
Ku dhe zogu shkon ngadale.

Shkëmbenj dhe shpella si thikë
Që ti shikosh të vjen frikë!
Gryk e Kuçit kush ka shkuar
Dhe gjaku si ka qëndruar?

Udhëtari nga të vejë?
Mal këtejë, mal andejë,
Ndë mes një lum i habitur
Vërtitet duke buxhitur,

Lisa të gjër’e të gjatë
E bëjnë ditënë natë!
Anës lumit, ndënë hie,
Çfaqetë një rrugë dhie.

Rrugë e ngushtë nëpër gjëmba
Mjerë kujt t’i shkasë këmba!
Ndë këtë grykë të shkretë
U vranë dymijë vetë!

Dymij’ ushtarë ç’u ngrinë
Të shkelmojnë Labërinë,
Po Gjon Lekën nuk e dinë
Q’i pret ndë grykë të vinë.

“O burra, O shqipëtarë,
-thirri Gjon Leka më parë-
Turku kërkon të na marrë,
Po këtu t’i bëjmë varrë!

Kush është trim edhe burrë,
Tani duket, në mos, kurrë.
Si thotë fjala dhe kuvëndi
Trimat e mir’i bën vëndi.

Te gryka që do të zëmë,
Turk të gjallë të mos lëmë
Dhe në mos kini fishekë,
-Po bërtit trimi Gjon Lekë-
“Bini armikut me gurë
T’a bëni balt e pëlhurë…”

Kur ndëgjuan këto fjalë,
Nukë mbeti Lab pa dalë:
Treqind Labrë qimeverdhë
Te gryk e Kuçit u derdhë;

Kryetar Gjon Lekë trimi.
Shokë, se ç’punon bashkimi;
Tre, katërqind shqiptarë
Dërmuan dymij’ ushtarë,

Nukë mbeti turk ndë këmbë,
Kapshuan dhenë me dhëmbë!…
Dhe pak të gjallë që mbenë,
Nukë dinë nga të venë!

Thotë fjala dhe kuvëndi
Trimn e mir’ e bën vëndi;
Kuçi, ndë mes të rrëkeve,
Të lumtë! Seç trim kërreve!

Të lumtë për trim që nxorre,
S’të çmonet nderi që more!
Malet e Kuçit u nxinë
S’mbin as bar, as trëndelinë.

Për Gjon Lekën mbanë zinë,
Që nderoi Labërinë.
U trete Gjon Lek’ u trete,
Sos u përpoqe për vete;

Ngrite luftë me Turqinë
Për të tërë Labërinë!

1903)

Loading...