Hahn: Pasoja nëse nuk hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, i paralajmëroi vendet anëtare të BE-së se mungesa e vendimit pozitiv për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, do të ndikojë në situatën në rajon, e veçanërisht në procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Nëse Maqedonia e Veriut nuk shpërblehet siç duhet, nuk do të ketë motiv që Serbia dhe Kosova të hynë në një dialog kuptimplotë për bashkëjetesën e ardhshme të tyre, sepse mënyra e vetme për ta bërë këtë është perspektiva evropiane”, tha Hahn.

Ai priti të mërkurën në Bruksel kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili u bëri thirrje vendeve të BE-së që të miratojnë hapjen e negociatave të pranimit me vendin e tij.

“Vendimi na duhet tani”, tha Zaev.

Në të kundërtën, shtoi ai, do të shkatërrohej besueshmëria e BE-së, ndërsa do të ngjallej edhe interesi i “palëve të treta në vakuumin që do të krijonte BE-ja”.

Bashkimi Evropian nuk arriti të marrë një vendim pozitiv për hapjen e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në një takim ministror që u zhvillua të martën.

Kjo ishte shtyrja e tretë në 16 muaj.

Franca e bllokoi vendimin, ndërsa për të do të diskutohet edhe në një samit të BE-së që do të mbahet të enjten dhe të premten./REL

Loading...