Prefekti i qarkut të Gjirokastrës, Astrit Aliaj, kërkoi sot të merren masa për pastrimin e kanaleve, tombinove e pusetave për përforcimin e argjinaturave, pastrimin e rrugëve nga inertet dhe sigurimin e sasisë së domosdoshme të kripës dhe skorieve për stinën e dimrit.
Në takimin e radhës së Organit Këshillues të Prefektit me tematikë ”Puna e zhvilluar për parandalimin dhe përballimin e zjarreve gjatë stinës së verës si dhe masat që do të merren për përballimin e periudhës vjeshtë – dimër 2019-2020”, Prefekti kërkoi që këto masa të përfundojnë brenda datës 30 tetor.
Prefekti Aliaj kërkoi gjithashtu të riorganizohet në çdo bashki Komisioni i Mbrojtjes Civile mbështetur në ligjin e ri nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile”, si dhe të ngrihen grupet e konstatimit dhe të vlerësimit të dëmeve në terren dhe të përgatitet me korrektësi dokumentacioni për kompensimin e qytetarëve në lidhje me dëmet e shkaktuara.
Gjatë këtij takimi u analizuan edhe masat e marra për përballimin e zjarreve për periudhën qershor – shtator 2019, dëmet e shkaktuara si pasojë e zjarreve në rang qarku, si dhe masat që do të merren për përballimin e situatave emergjente të mundshme për periudhën vjeshtë – dimër 2019-2020 nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Prefekti i Aliaj ka kërkuar vlerësim dhe bashkëpunim ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore, degëve territoriale dhe strukturave shtetërore për parandalimin, shmangien dhe minimizimin e dëmeve në situata emergjente të natyrave të ndryshme si dhe planifikim të detajuar të masave organizative – teknike./atsh