Shqipëria synon të jetë lider në rajon në eksportin e prodhimeve bujqësore dhe kësaj i shërben edhe ndërtimi i qendrës më të madhe të grumbullimit, ruajtjes, distribuimit dhe eksportit të fruta-perimeve, që do të bëhet zhvilluesi kryesor i tregtisë bujqësore në Shqipëri.
Ministrja për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato mori pjesë në inagurimin e nisjes së punimeve për ndërtimin e kësaj qendre, të cilën e cilësoi si projekt strategjik.
Investimi në 3 hektarë tokë pritet të hapë 300 vende pune direkte dhe të ndikojë në mënyrë indirekte në 6000 deri ne 7000 vende të reja pune në të gjithë Shqipërinë nëpërmjet kontraktimit të fermerëve.
Sfidat tona, tha Qato, vijojnë të mbeten nxitja e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare në rajon dhe rritja e prodhimit vendas.
“Dhe pse eksportet në këtë sektor kanë patur një rritje domethënëse gjatë këtij viti, ne synojmë të jemi lider në rajon dhe implementimi i projekteve të tilla është prova më e qartë e këtij vullneti”, tha Qato./atsh