Bllokohen 298 ton karburant jashtë standarteve

Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial, në bashkëpunimin me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, bllokuan një sasi prej 298 ton karburant, në një vendburim në Bashkinë Finiq, e cila ishte jashtë standardeve të tregtimit.

Nga kontrolli i ushtruar në këtë vendburim u konstatua se mungonte vërtetimi teknik, si dhe u evidentuan probleme me cilësinë e produktit.

Aksioni u ndoq nga afër nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me kryeinspektorin e ISHTI, Admir Abrija dhe zëvendësdrejtorin e Doganave, Ylber Kalaja.

“Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial në kuadër të planit antiinformalitet, bashkë me administratën doganore, bën një plan kontrolli dhe gjatë kontrollit kemi konstatuar 298 ton produkt, lëndë e parë, naftë bruto, e cila është e stokuar në këtë vendburim, pa vërtetimin teknik.

Menjëherë kemi njoftuar administratën doganore që të hetojë në lidhje me fiskun e produktit”, bëri të ditur kryeinspektori Abrija.

Duke ju referuar parametrave të produktit të sekuestruar, zëvendësdrejtori i Doganave tha se ky është një produkt me risk dhe me shkallë monitorimi shumë të lartë.

“Për vetë parametrat që kanë rezultuar, ky produkt rezulton të jetë një ndër produktet me risk dhe me shkallë monitorimi shumë më të lartë, për vetë mundësinë e përdorimit dhe si lëndë djegëse për ngrohje apo për elementë të tjerë.

Jemi në pritje të rezultateve përfundimtare të analizave për të vijuar me procedurat e tjera në koordinim me strukturën e ISHTI-t”, nënvizoi Kalaja.

Ministrja Belinda Balluku e cilësoi aksionin në fjalë si provën e radhës për angazhimin e qeverisë në luftën kundër informalitetit duke paralajmëruar se aksionet do të vijojë edhe në javët në vijim në të gjithë territorin e vendit.

“Ky është një sulm frontal kundër informaliteti, të cilin ne do ta vazhdojmë.

Të gjithë entet shtetërore, si Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si Ministria e Financave dhe të gjithë agjencitë apo drejtoritë në varësi të tyre, janë të fokusuar tek lufta kundër informalitetit dhe askush nga ne nuk ka plan që të ndalojë”, nënvizoi Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi se koordinimi mes agjencive dhe institucioneve përkatëse, si në këtë rast, rrisin efiçencën e aksioneve, ndërsa nxiti bashkëpunimin mes ISHTI-t dhe administratës doganore, me qëllim evidentimi e shkeljeve dhe marrjen e masave përkatëse për subjektet që abuzojnë.

“Në rastet kur kemi aksione të koordinuara, efiçenca e aksionit është më e lartë dhe unë do t’ju sugjeroja dhe do t’ju nxisja që dhe në të ardhmen të ketë një bashkëpunim të hapur midis drejtorive dhe Inspektoratit Teknik për të goditur sa më shumë, qoftë parregullsitë cilësore, që janë shumë të rëndësishme, ashtu dhe parregullsitë fiskale.

Për të vendosur një herë e mirë në tregun e karburanteve në Shqipëri një legjitimitet të plotë përsa i përket tregtimit, cilësisë dhe sigurisht përsa i përket të gjithë rregullimit të këtij sektori, i cili ndër vite lë shumë për të dëshiruar”, theksoi Balluku.

Nga analizat e kryera rezultoi se lënda prej 298 tonësh, e bllokuar në këtë pikë vendgrumbullimi, kishte parametra të pazakontë sa i takon nivelit të squfurit por edhe nivelit të flakërimit. Nga ana e inspektorëve të ISHTI-t subjektit ju kërkuar edhe pajisja me vërtetimin teknik pasi nuk plotësonte kushtet e sigurisë

Loading...