E përfshirë në programin “100 fshatrat”, Libofsha, vendlindja e shkollës së parë shqipe në Myzeqe, shpalosi dje të gjitha vlerat e trashëgimisë kulturore, zakonore e krahinore, në një festë të traditës shqiptare.
“Libofsha n’festë” mblodhi për të katërtin vit radhazi, prodhues të produkteve të zonës të cilët organizuan panaire për të promovuar produktet e agroturizmit, bujqësisë dhe blegtorisë së zonës.
Këngë, valle e traditë, në një atmosferë të vërtetë festive. Një festë që ngriti në këmbë jo vetëm banorët e zonës, por edhe shumë kureshtarë e të apasionuar pas traditës dhe kulinarisë.
Tashmë jehona e organizimeve të tilla në Fier nuk është një risi, por një metodologji e ndjekur nga bashkia Fier për të promovuar vlerat, traditën, kulturën e resurset natyrore të zonave plot begati të Myzeqesë.
Drejtues të qeverisjes vendore, deputetë të zonës dhe qindra qytetarë u bënë pjesë e festimeve.
Aktiviteti u shoqërua nga një koncert i traditës, ku performuan të gjitha grupet e sazeve dhe valleve të zonës së Libofshës.
E konsideruar si djepi i kulturës myzeqare, zona e Libofshës numëron 5 Monumente Kulture, 1 Monument Natyre e shumë vlera të tjera kulturore, historike dhe folklorike./atsh