Në qytetin bregdetar të Sarandës institucionet e pushtetit vendor në bashkëpunim me Policinë Bashkiake po punojnë intensivisht për lirimin e hapësirave publike nga zaptimet.
Ditët e fundit aksioni është përqendruar në lirimin e trotuareve nga tezgat dhe tryezat e shërbimit pa leje në rrugën Nr. 5 dhe në trotuaret e zëna paligjshmërisht nga tregtarë, në rrugën Turizëm-Kanali i Cukës.
Sipas bashkisë së Sarandës, operacioni nuk do të ndalojë dhe toleranca do të jetë zero.
“Kundërvajtësit, kudo e kushdo qofshin do të përballen me veprimin e specialistëve të ndërmarrjes së shërbimeve, të mbështetur nga uniformat e Policise Bashkiake”, shprehet bashkia.
Që prej muajit shtator policia bashkiake dhe bashkia e Sarandës kanë nisur disa aksione për lirimin e hapësirave publike. Këto aksione kanë synim që të krijojnë ambiente të pastra, të rregullta e siguri rrugore në të gjitha hapësirat publike të qytetit, në mënyrë që mallrat të tregtohen brenda hapësirave të subjekteve dhe në kushte më të mira higjienike dhe mjetet të parkohen në vendet e përcaktuara./atsh