Ia vranë burrin para syve, Elvis Naçi ia bën shtëpinë si të re Dilores: Kush fal gjak, nderohet!

Emisioni, “Shqiptarët për shqiptarët” ishte kësaj radhe në Ishull Shëngjin.

Hoxha Elvis Naçi dhe Sidriti vizituan familjen Gjini e cila zbriti 14 vite më parë nga fshati Kashnjet e Lezhës. Familja me katër anëtarë u zhvendos në ketë vend për një jetë më të mirë.

Por, nëna e tre fëmijëve, Dilore Gjini mbeti e ve në moshën 26 vjeçare pasi burrin ia vranë për gjakmarrje. Bashkëshorti i saj u vra në derën e shtëpisë.

Ja çfarë thotë Dilorja për momentin tragjik që i ndryshoi jetën:

Unë isha brenda banesës, po gatuaja. U afrua duke bërtitur, po shante, ishte i pirë, erdhi më një tjetër. Erdhi e vuri pistoletën në qafë. U tremba se isha shtatzënë. Isha mbas shpinës së tij, ai ra. Isha atje kur e vrau. Mu këputën gjunjët, bërtita më të madhe. Burri mu vra para syve.”
Vajza Majlinda erdhi në jetë disa muaj pasi i ati ndërroi jetë.

Për nënën e saj nuk janë ndarë hallet asnjë herë. Edhe pse jetoi me bashkëshortin e saj të ndjerë vetëm 7-vite, ajo shprehet se zgjodhi që të t’i qëndronte besnike deri në fund. Pra, nuk e konsideroi asnjëherë mundësinë e një martese të dytë.

Ajo tregon:

Vetëm të mira kam pas prej tij. Më thoshte, ti je shumë e vlefshme, ti je zemra ime, ishte bashkëshort i mirë. Vetëm 7 vite jetova me burrin, u betova të mos martohem më, doja te isha besnike ndaj tij”.
Hoxha Elvis Naçi është prekur nga forca e kësaj gruaje që rrit e vetme në kushte shumë të vështira tre fëmijët e saj, shkruan BW.

Kështu, Elvisi i kërkoi Dilores ta shoqëronte për të parë shtëpinë e re, nga e cila gruaja bashkë me vajzën ishin zhvendosur për pak kohë. Shtëpia, në kushte aspak të mira, tashmë dukej si e re.

Dilorja sapo hapi derën nuk po u besonte syve, e kishte ndjerë që e priste një surprizë, por s’e dinte që surpriza do të ishte kaq e madhe.

Duke thënë që mendonte se thjesht do i suvatohej banesa, ajo shprehet:

Ua çfarë surprize, më duket e pabesueshme. Nuk e kam pritur kurrë këtë. Mu ngroh shpirti, prisja që banesa të ishte e suvatuar. Kjo shtëpi ishte e rrënuar, çatia ishte duke rënë, edhe korrentin e kisha nëpër këmbë, kam qenë në rrezik, qaja çdo ditë për fëmijët.”
Me vrasjen e burrit të saj, mori fund edhe gjakmarrja pasi ajo vendosi që ishte më mirë që ta falte gjakun.

Nga frika e gjakmarrjes, ajo mori një vendim:

Unë u thashë, më mirë ta fal se kam një djalë, pajtimin e kemi bërë pas tre vjetësh. Nuk dua të jetoj me frikë, me mire jetoj sikur s’ka ndodh gjë. Ne e kemi fal gjakun.”
Elvis Naçi i tregoi Dilores se pse vendosi që ta ndihmonte atë dhe fëmijët e saj jetimë:

Ne jemi të prekur nga kjo histori, lum ai qe fal gjakun, shqiptari nuk e vret shqiptarin, kush fal gjak shqiptari ne e nderojmë, ke bere një vepër te madhe.”

Loading...