Celula terroriste, që është zbuluar në vendin tonë kishte planifikuar një sulm terrorist në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve në vendin tonë gjatë kremtimit të festës së Sulltan Novruzit.
Në një prononcim për ABC News Kreu i Gjyshatës Botërore të Bektashinjve, Edmond Brahimaj, ka shpjeguar se si e mësoi këtë ngjarje.
“Ata kishin ardhur si gazetarë në një konferencë që kishim. Pasi kemi dhënë dhe intervista ne nuk dinim gjë.
Atë ditë ne filluam ceremoninë dhe kremtimin, kur na njofton policia se janë arrestuar dy gazetarët, të cilët kishin ardhur për akte terroriste në Kryegjyshatë, por edhe në Tiranë”, tha Baba Mondi.
Baba Mondi ka sqaruar, se për çfarë e kanë pyetur dy terroristët që ishin maskuar si gazetarë kur e kanë intervistuar, gjithashtu nëse ata ishin interesuar për pjesëmarrjen e anëtarëve të organizatës opozitare iraniane MEK.
“Nuk na pyetën ata fare. Vetëm më morën mua intervistë për zhvillimet e bektashizmit në Shqipëri dhe botë”, tha ai.
Kreu i Gjyshatës Botërore të Bektashinjve ka treguar se nuk ndihen të kërcënuar pasi kanë një bashkëpunim shumë të mirë me policinë. Sipas informacioneve të bëra publike në atë kohë dy persona ishin iranian, por me shtetësi gjermane.