VETERANI XHELO DAUTAJ BOTON LIBRIN MONOGRAFIK ME KUJTIME “KALITUR NË KUDHRËN E JETËS”
Të shkruarit nuk njeh moshë. Xhelo Dautaj, edhe pse në moshën 91 vjeçare, del para lexuesve kallaratas dhe jo vetëm me librin e tij në formë monografie me kujtime të tij e familjes, duke filluar nga vendlindja Kallarati, pjesëmarrjen në Luftën Nacionalclirimtare, detyrat e rinisë në Kurvelesh, Tepelenë, Gjirokastër e Tiranë, detyrat si punëtor partie për shumë vite në rrethin e Matit, jetën bashkëshortore me Nikën edhe ajo intelektuale dhe grua zonjë, rikthimin në Vlorën e tij të dashur pranë bashkëfshatarëve kallaratas tani si pensionist e veteranë dhe së fundi, pas ndarjes nga jeta të bashkëshortes, në qytetin e Fierit pranë vajzës së tij, Arianës.
Ja si shkruan Selfo Allka & Nuredin Qato në parathënien e librit:
Librin “Kalitur në kudhrën e jetës”, autori Xhelo Dautaj e quan monografi të jetës së tij, por duke parë kronologjinë e ngjarjeve e të tregimeve do dëshironim ta quanim “Ditar me kujtime e ngjarje nga jeta”.
Monografia e këtij autori përmban historinë e jetës së një djali të ri të zgjuar e trim, i cili u lind në fshatin e bukur të.Kurveleshit të Poshtëm, Kallarat, Vlorë, fshat i mbushur me histori trimërish ndër shekuj dhe me lavdi të përjetshme.
Xhelo Myftar Dautaj u lind më 2 janar 1927 në një familje të varfër fshatare nga ana ekonomike, por fisnike e shpirt bujar, me cilësi trimërie e frymë atdhetarie.
Të gjithë brezat prej gjyshit, babait e xhaxhallarëve dhe vetë Xhelua i kanë dalë zot vatanit me dyfek në krahë.
Xhelo Dautaj, bir i fisit Dautaj u bë një njeri në zë që brezat do ta ruajnë gjatë në kujesën e tyre, për shpirtin e paepur në Luftën Nacionalçlirimtare, në punë dhe kudo në jetë. Ai brenda vetes është i mbushur me plot dashuri për atdheun, popullin, familjen dhe të afërmit e tij.
Figura e Xhelo Dautit frymëzon dhe edukon brezat e ardhshëm të këtij fisi. Xhelua vullnetarë në luftë, vullnetarë në punë, kudo që e kërkuan interesat e atdheut, shërbeunë vijë të parë duke i përmbushur detyrat me nder e lavdi.
Sado që të shkruajmë për Xhelon – përfundon Selfo Allka, redaktori i librit – është pak, ne mbetemi borxhli kësaj figure, prandaj shprehim mirënjohje të thellë ndaj tij, i urojmë jetë të gjatë e ditë të bardha. Respekte pa fund!
DY FJALË MBI MOTIVIN QË SHKROVA LIBRIN, NGA AUTORI XHELO DAUTAJ.
Këto kujtime, ngjarje e tregime të jetës time e të familjes i hodha në letër i nxitur shumë kohë më parë nga bashkëshortja ime Nika, e cila është ndarë nga jeta dhe vajzat e mia Ariana, Afërdita e Teuta, si dhe nga miq e shokë të shumtë.
I falenderoj të gjithë nga zemra dhe u jam shumë mirënjohës. Jetëshkrimi është histori, deshmimtaria e kohës dhe drita e së vërtetës.
Historia u tregon brezave me besnikëri, korrektësi e saktësi shkencore aktet heroike në luftë dhe sakrificat vetmohuese në punë. Aty pasqyrohen, jo vetëm përpjekjet titanike të kohës legjandare që kemi jetuar e punuar, por edhe sukseset e fitoret, gëzimet e lumturinë që kemi ndjerë në punë e familje.
Vlerat dhe mësimet e këtij libri janë një mesazh edukimi që dua të përcjellë jo vetëm për sot, por edhe për nesër, për filizat e rinj brezat tanë pasardhës, nipat e mbesat, të cilët duke lexuar këtë libër dhe kur të gjejnë aty të shkruar emrin e gjyshit e të gjyshes të shoqëruar me fotografi, do të mburren e do të ndihen krenarë.
Unë për vitet e dekadat që lashë pas, për punën që kam bërë e detyren fisnike të privilegjuar që kam kryer, funksionet në PPSH, jam i lumtur e krenarë.
Pasuria më e madhe e njeriut në jetë janë: Nderi, prestigji, dinjiteti, krenaria e lavdia, janë familja dhe fëmijët, nipërit e mbesat. Këto përbëjnë themelin e krenarisë e të lumturisë, baza e një jete të gëzuar e me hare – përfundon autori – Xhelo Dautaj.
Për më tepër lexoni librin.
Kryesia e Shoqatës Kallarati, duke e falënderuar Xhelon për librin, i uron atij jetë të gjatë e të lumtur!