Sa e rëndësishme është paraja në ditët e sotme?A na bën të lumtur?

Unë jam i pasur, përderisa kam një nënë akoma me shëndet të mirë, dy fëmijë me shëndet të plotë…”

Sa e rëndësishme është paraja në ditët e sotme? A na bën të lumtur? A është paraja matësi i suksesit? Për të folur për këtë temë shumë të rëndësishme për secilin prej nesh, në programin “Rudina” në Tv Klan, kanë qenë të ftuar Lajla Pernaska, politikane; Jerina Lalaj, konsulente imazhi; Arvin Kita, shef kuzhine dhe Odeta Banushaj, Blogere.

“Është shumë e rëndësishme, jo thjesht fitimi i parasë ose akumulimi i parasë, por më e rëndësishme realizimi i vlerës, se çfarë realizon ti nëpërmjet parasë dhe pastaj gjenerimit të mëtejshëm. Sot jetojmë në një shoqëri të dominuar nga konsumizmi dhe materializmi.

Që do të thotë se ne jemi shumë të prirur për të konsumuar, madje për të blerë sende, objekte, çdo gjë vetëm se është trendi i momentit ose është diçka e re edhe pse nuk na duhen dhe madje pas një farë kohe edhe mund të pendohemi që e bëmë atë lloj blerje”, shprehet politikania Lajla Pernaska.

Por sipas Jerina Lalaj “çokollatat të bëjnë shumë të lumtur, por këpucët nuk kanë kalori”. “Neve të gjitha gjërat që blejmë në një moment të caktuar është ai impulsi, që sigurisht unë duke qenë se merrem me marketing e di që ne instistojmë shumë në faktin e blerjes dhe konsumizmit.

Por e dimë që janë pikat e dobëta të njerëzve që i përthithin. Çdo gjë ka suksesin e vet, por paraja sot ka një imazh më të madh të vlerësimit”, thotë Lalaj.

Për shefin e kuzhinës Arvin Keta vlera e tij e pasurisë nuk lidhet me paranë.

“Unë jam i pasur, përderisa kam një nënë akoma me shëndet të mirë, dy fëmijë me shëndet të plotë dhe shkollimin përkatës dhe vazhdojnë të jenë shumë mirë në shkollat e tyre, një familje të shëndetshme dhe asetet që më nxjerrin përditësinë dhe arritjen e këtyre objektivave i kam mjaftueshëm. Por arrihen gjithmonë me punë, me një punë super strapacuese”./tvklan.al

Loading...