Albin Kurti iu drejtua pjesëmarrësve në Samitin e Paqes së Europës Juglindore, që mbahet për herë të parë në Shqipëri, me fjalët që ai ndihej si në shtëpinë e tij.
Kurti tha se samite të tilla janë shumë të vlefshme, për ti bërë njerëzit bashkë dhe për të shembur muret e ndasive mes vendeve.
“Ndjehem si në shtëpinë time dhe këtu në Tiranë, kështu që mirësekeniardhur. Samite të tilla që bëjnë bashkë njerëzit janë tejet të vlefshme për të ardhmen, njerëzit jetojnë dhe lulëzojnë në Bashkësi.
Kjo është detyra jonë që të bëjmë njerëzit bashkë dhe të kuptojmë se angazhimi për paqen na mundëson përparimin.
Para 30 vitesh ka rënë muri që na ndante në kohën e luftës së ftohtë, mirëpo ndasitë kanë vazhduar se në vend të një muri të madh, kemi mure të vegjël që na ndajnë mes nesh.
Është e domosdoshme të themi që nuk ka asnjë alternativë më të mirë sesa paqja”, u shpreh mes të tjerave Kurti në fjalën e tij.
“Ballkani Perëndimor dhe BE janë shumë të rëndësishëm për njëri tjetrin, brenda vendeve tona ne duhet të kutojmë varfërinë, pabarazinë dhe padrejtësinë. Në Kosovë nëse i pyet të gjitha pakicat thonë se emergjente është drejtësia dhe papunësia, duan që askush të mos jetë i privilegjuar dhe askush të mos jetë i diskriminuar. Ne si VV fituam zgjedhjet dhe tash kemi një punë të madhe përpara që të plotësojmë këto kërkesa të qytetarëve”, tha më tej Kurti.