Nga Regina Rini
Teknologjia ka nxjerrë në pah problemin e lajmeve të rreme (fake news), dhe është joshëse të mendohet se teknologjia mund ta zgjidhë atë, dhe që thjesht duhet të gjejmë algoritmin e duhur, dhe ta kodojmë problemin. Por kjo qasje, injoron leksionet e vlefshme nga epistemologjia, dega e filozofisë e lidhur me atë se si fitojmë njohuri.
Për të kuptuar se si mund ta zgjidhim problemin e lajmeve të rreme, fillojeni me thashethemet gjatë orëve të mbrëmjeve tona shoqërore. Imagjinoni sikur keni dalë jashtë për të pirë një gotë, kur njëri prej miqve tuaj përplas grushtet në tryezë, teksa flet për një politikan lokal.
Historia është kaq skandaloze, sa që ju nuk jeni të sigurt, nëse ai mund të ketë të drejtë. Por pastaj, shfaqet miku juaj i mirë, që duke e mbështetur atë, rivendos reputacionin e tij në sytë e të tjerëve. Ndoshta ju duhet ta besoni.
Ky është një shembull i asaj që filozofët e quajnë dëshmi. Është e ngjashme me llojin e dëshmisë që jepet në sallën e gjyqit, por është më pak formale, dhe shumë më e shpeshtë. Dëshmia ndodh çdo herë që ju besoni diçka, vetëm sepse dikush tjetër del garant për atë informacion.
Shumica e njohurive tona rreth botës, janë njohuri të dorës së dytë që na vijnë përmes dëshmisë.
Në fund të fundit, ne nuk mund të bëjmë tonin gjithë kërkimin shkencor, apo hartat e të qyteteve të largëta. E gjithë kjo mbështetet tek normat e dëshmisë. Bërja e një pretendimi faktik personalisht, edhe sikur të kalosh disa lajme të gjetura diku tjetër, nënkupton marrjen e përgjegjësisë për të, edhe duke vënë në rrezik reputacionin tuaj epistemik – domethënë besueshmërinë tuaj si burim.
Një pjesë e arsyes, se përse njerëzit ju besojnë kur ndani një informacion është kjo:ata e kanë përcaktuar besueshmërinë tuaj, dhe mund t’ju mbajnë përgjegjës nëse jeni duke gënjyer, ose nëse jeni e keni gabim. Besueshmëria e njohurive të dorës së dytë, vjen nga këto norma.
Por mediat sociale, kanë norma dëshmish të çuditshme. Në Facebook, Twitter dhe platforma të ngjashme, njerëzit nuk nënkuptojnë gjithmonë atë që shprehin përmes të shkruarit, dhe ne nuk gjithmonë presim që ata ta bëjnë këtë. Sikurse është edhe një slogan jozyrtar i Twitter:”Një re-tëeet nuk është një miratim”.
Kur Donald Trumpi u kap duke ripostuar në Twitter statistika të rreme për racën dhe krimin, ai i tha televizionit Fox News, se nuk kjo nuk ishte ndonjë gjë e madhe:”A mos duhet të kontrolloj çdo statistikë? E gjitha ishte një reteeet. Nuk ishte nga unë”.
Intelektualisht, ne e dimë që njerëzit e bëjnë këtë gjatë gjithë kohës në mediat sociale. Ata e ndajnë lajmin pa verifikuar saktësinë e tij, por shumë prej nesh i ndjekin gjithsesi. Informacioni që ata ndajnë është shumë joshës për t’u injoruar – veçanërisht kur ai riafirmon besimet tona ekzistuese politike.
Për të luftuar lajmet e rreme, ne duhet të zbatojmë të njëjtat norma që na mbajnë (relativisht) të ndershëm gjatë mbrëmjeve kur dalim me shoqërinë, dhe i zbatojmë ato në mediat sociale. Por problemi, është se mediat sociale janë si dalja çdo natë, për të pirë me 500 miqtë tuaj më të afërt.
Ju mund të merrni shumë informacione, por keni shumë pak gjasa të mbani mend se kush u ka thnë çfarë, dhe cilin duhet të pyesni nëse informacioni më vonë rezulton të jetë i gabuar.
Ka thjesht shumë informacion në mendjet tona, për të mbajtur gjurmët e tij. Ju lexoni një titull lajmi – dhe nganjëherë mund të jetë gjithçka që lexoni – tronditeni, më pas klikoni logon e fytyrës së zemëruar dhe vazhdoni të lëvizni lart e poshtë. Ka gjithmonë një tjetër histori, një tjetër zemërim. Reagoni, lundroni, përsërisni të njëjtin veprim.
Problemi i vetëm nuk është vetëm numri i tregimeve, por edhe numri i tregimtarëve. Një përdorues i Facebook ka zakonisht qindra miq, shumë prej të cilëve vështirë se e njohin jashtë rrjetit. Nuk ekziton asnjë mënyrë, për të mësuar se sa të besueshëm janë miqtë tuaj në Facebook. Ju mund të jeni të kujdesshëm ndaj postimit politike të një të afërmi, por ç’duhet të themi për linqet e gazetave lokale të postuara nga një koleg i nderuar i gruas së kushëririt tënd, të cilin e
ke takuar dikur në një festë?
Është e pamundur të bëjmë një lloj peshimi reputacional për gjithë këta njerëz, dhe të gjitha historitë që ata ndajnë. Për të zgjidhur këtë problem – ose të paktën për të përmirësuar situatën – duhet të vendosim norma të qëndrueshme të dëshmive, të cilat na lejojnë të mbajmë njëri-tjetrin të përgjegjshëm në mediat sociale.
Kjo kërkon reduktimin e vërshimit të informacionit në rrjet, dhe mbajtjen e gjurmëve të besueshmërisë së qindra kontakteve të mediave sociale. Fatmirësisht, për këtë ka një aplikacion.
Facebook ka tashmë karakteristika, që mbështesin normat më të mira të dëshmive. Shumica e llogarive në Facebook, janë të lidhura ngushtë me rrjetet sociale të përdoruesve të jetës reale. Dhe për dallim nga komentuesit anonimë të uebit, përdoruesit e Facebook thjesht nuk mund të shmangin identitetin e tyre kur kapen duke gënjyer.
Përdoruesit, kanë arsye të kujdesen për reputacionin e tyre epistemik – ose, të paktën, do të bënin këtë, nëse të tjerët mund të mbanin në skedarë informacionin që ata kishin. Ja një sistem që mund të ndihmojë, dhe bazohet në diçka që po e bën tashmë edhe Facebook, për të parandaluar përhapjen e lajmit të rremë.
Aktualisht, Facebook u kërkon organizatave të pavarura të kontrollit të fakteve nga i gjithë spektri politik, të identifikojnë informacione të rreme dhe mashtruese. Sa herë që përdoruesit përpiqen të postojnë diçka që është identifikuar si një lajm i rremë, ata përballen me një ‘pop-up’ (flamur të kuq), që shpjegon problemet me lajmet, dhe u kërkon atyre të konfirmojnë nëse dëshirojnë të vazhdojnë.
Asnjë nga këta përdorues nuk pengohet të postojnë histori, faktet e të cilëve janë të diskutueshëm, por atyre u kërkohet të dinë se ajo që ata po ndajnë mund të jetë e rreme ose mashtruese. Facebook e ka përdorur hapur këtë sistem që prej dhjetorit 2016.
Më pak hapur, kompania ka mbajtur gjithashtu skedarë se sa shpesh përdoruesit e saj përpiqen të flasin për lajme të rreme, dhe duke përdorur këtë veçori, ata kanë llogaritur besueshmërinë epistemike të përdoruesve të tyre. “The Washington Post” raportoi në gusht se Facebook lloogarit fshehurazi, sesa shpesh përdoren sinjalizimet e përdoruesve në analizën e kontrollorëve të pavarur të fakteve.
Facebook, i përdor vetëm këto të dhëna vetëm për për të identifikuar abuzimin me sistemin e sinjalizimit, dhe nuk lejon përdorimin e tij nga përdoruesit. Unë nuk mund të gjej rezultatin tim të reputacionit, ose rezultatet e ndonjë prej shokëve të mi.
Ky sistem dhe sekreti rreth tij, mund të duken paksa të çuditshme- dhe besimi i publikut tek Facebook është dëmtuar seriozisht. Dhe kjo është e justifikuar. Por unë mendoj se gjithsesi Facebook është në rrugën e duhur. Vitin e kaluar, në një botim të Institutit Kenedi për Etikën në Gazetari, unë propozova një sistem disi të ndryshëm.
Dallimi kryesor midis sistemit tim, dhe asaj të zbatuar nga Facebook është transparenca: Facebook duhet të përcjellë dhe të shfaqë, sesa shpesh secili përdorues vendos të ndajë informacionin e kontestuar, edhe pasi është paralajmëruar se informacioni mund të jetë i rremë ose mashtrues.
Në vend se t’i përdorë këto të dhëna për të llogaritur një rezultat të fshehtë, Facebook duhet të shfaqë një shenjë të besueshmërisë në çdo postim dhe koment. Imagjinoni një pikë të ngjyrosur pranë emrit të përdoruesit, ngjashëm me simbolet e verifikimit të kaltër të Facebook dhe Twitter për një llogari të besueshme:një pikë e gjelbër, mund të tregojë se përdoruesi nuk ka zgjedhur të shpërndajë lajme shumë të diskutueshme, një pikë e verdhë mund të tregojë se ai e bën këtë ndonjëherë, dhe një pikë e kuqe mund të tregojë se e bën shpesh.
Këta shenjues besueshmërie, do të lejonin që dikush të kishte një panoramë sa të besueshme se kush janë miqtë e tij. Në këtë propozim nuk ka kurrfarë censure. Facebook, nuk ka nevojë të ndryshojë algoritmet e veta, për të zhdukur postimet nga përdoruesit me tregues të dobët besueshmërie:Çdo përdorues mund të vendosë vetë se çfarë dëshiron, pavarësisht nëse faktet e tregimeve që ai ndan janë objekt debati.
Njerëzit mund të zgjedhin të përdorin mediat sociale ashtu si sot, por tanimë do të kishin një zgjedhje, sa herë që të hasnin informata të reja. Ata mund të shohin në fillim shenjën e besueshmërisë, para se t’i referohen postimit provokues të një mikut në rrjet, Dhe mund të mendohen dy herë përpara se të ndajnë me të tjerët një histori të çuditshme, nga një mik me një shenjë të kuqe të besueshmërisë.
Gjithsesi në fund, zgjidhja e problemit të lajmeve të rremeve, nuk do të jetë thjesht një programim i zgjuar:ajo do të përfshijë secilin prej nesh, që merr përgjegjësitë tona si qytetarë digjitalë, dhe vendos aty ku duhet reputacionin tonë epistemik.
Shënim: Regina Rini, është pedagoge e filozofisë në Universitetin e Jorkut në Toronto
Burimi: THE NEW YORK TIMES
Në shqip nga bota.al