Altin Prenga është një prej atyre që finalizoi idenë e tij gjeniale për një restorant mes natyrës, ku çdo gjë prodhohet në fshat. Restoranti i tij “Mrizi i Zanave” është një histori suksesi që i kapërcen kufijtë e Shqipërisë.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi vizitoi sot restorantin dhe zhvilloi një bisedë me Altin Prengën ku u shpreh se për të bërë gjëra të mëdha ka nevojë për besim dhe pasion dhe se askush tjetër veç tij s’mund ta rikrijonte kaq bukur në një formë tjetër “Mrizin e Zanave” të Gjergj Fishtës.
“Për të bërë gjëra të mëdha ndonjëherë ka thjesht nevojë për besim, vendosmëri dhe pasion për t’i shkuar deri në fund ideve të tua. Altin Prenga është një prej atyre që finalizoi idenë e tij gjeniale për një restorant mes natyrës, ku çdo gjë prodhohet në fshat, përveç kafes dhe sheqerit. Altini i Mrizit siç e njohin të gjithë, brenda e jashtë vendit, pasi “Mrizi i Zanave” është një histori suksesi që i kapërcen kufijtë e Shqipërisë. Askusht tjetër veç tij s’mund ta rikrijonte kaq bukur në një formë tjetër “Mrizin e Zanave” të Gjergj Fishtës”, u shpreh Çuçi.
Ministri Çuçi u shpreh se ky restorant, si një prej markave më të mira të agroturizmit shqiptar, është një model frymëzues për këdo që do të investojë në fshat.
Çuçi tha se, “jo si një vepër poetike, por si një prej markave më të mira të agroturizmit shqiptar, si një model frymëzues për këdo tjetër që kërkon të investojë në fshat. Besoj se kjo sipërmarrje është një model i pakrahasueshëm edhe me vendet e rajonit. Nëse do të investosh sot në agroturizëm, veç të tjerash të duhet me siguri edhe një bisedë me Altinin e Mrizit, pionierin e një modeli të ri biznesi aq shumë të domosdoshëm për të krijuar zhvillim të qëndrueshëm në zonat rurale”.
Gjithashtu gjatë bisedës me Altinin ministri Çuçi konstatoi dhe impaktin e madh që kishte krijuar paketa mbështetëse që është miratuar për agroturizmin. Ministri shprehet se kjo është gjëja e duhur, pasi për sipërmarrjet e certifikuara në agroturizëm, TVSH-ja është 6%, tatim fitimi 5% dhe taksa e ndikimit të infrastrukturë 0%.
“Altini ka përgjigje për çdo gjë. Historia e tij, nga një adoleshent që la Shqipërinë për të emigruar në Itali 21 vite më parë, tek një sipërmarrës dhe menaxher i jashtëzakonshëm, të motivon ndoshta më shume sesa qindra libra apo leksione mbi të bërit biznes në fshat. Më vjen mirë që nga biseda me Altinin konstatova impaktin e madh që kishte krijuar paketa mbështetëse që ne kemi miratuar për agroturizmin. Bëmë gjënë e duhur! Për ato sipërmarrje të certifikuara në agroturizëm, TVSH-ja është 6%, tatim fitimi 5% dhe taksa e ndikimit në infrastrukturë 0%”, tha ministri Çuçi.
Ministri Çuçi theksoi se do të vazhdojë mbështetja për çdo iniciativë në fushën e agroturizmit.
“Ne do të vazhdojmë të mbështesim çdo iniciativë në fushën e agroturizmit. Shqipëria ka një natyrë të mrekullueshme dhe prodhime fantastike në çdo anë të saj. Na duhen shumë “Mrize” të tjera. Bravo Altin”, përfundoi ministri Çuçi. /atsh