Komedia “Këngëtarja tullace” shkruar nga autori Eugene Ionesco, e vënë në skenë nga regjisori Spiro Duni dhe interpretuar nga trupa e teatrit “Bylis” të Fierit, u mirëprit mbrëmjen e djeshme nga publiku gjirokastrit.
E shfaqur mbrëmjen e djeshme në natën e shtatë të Festivalit “Kadri Roshi”, u duartrokit nga artdashësit që kishin mbushur sallën e teatrit “Zihni Sako”në Gjirokastër.
“Këngëtarja tullace” përcjell mesazhet e duhura për një botë, ku nuk drejton arsyeja, por absurdi, mesazhe që i përshtaten tërësisht realitetit shqiptar.
Në rolet e shfaqjes teatrore “Këngëtarja tullace”, në skenë do të jenë aktorët Fatmir Xhelili, Miola Sitaj, Flaura Kureta, Astrit Hasani, Doriana Çaushi, Margent Caushi.
Kjo komedi është një vepër për çdo kohë, pasqyrë e falimentit moral dhe mendor të shoqërisë njerëzore, njëkohësisht pasqyrimi i një bote njerëzish që gjenden në udhëkryq, sepse nuk mund të komunikojnë më as me veten.
Këngëtarja tullace” (La Cantatrice Chauve) është shkruar nga dramaturgu rumun Eugen Ionesko (1909-1994). Si një nga autorët e ndaluar të letërsisë dhe dramaturgjisë moderne të shekullit të XX, Ionesko pa dritën e skenës shqiptare vetëm pas viteve ‘90. Prej tij janë vënë në skenë “Mbreti po vdes”, “Rinocerontët”, “E ardhmja qendron tek vezët” dhe “Karriget”.
Në edicionin e dytë të Festivalit të teatrit “Kadri Roshi” në qytetin e Gjirokastrës marrin pjesë tetë trupa teatrore jo vetëm nga vendi, por edhe teatri i Preshevës dhe Tetovës.
Natën e sotme, që do të jetë edhe e fundit, do të ngjitet në skenë trupa e Vlorës “Petro Marko” me komedinë “Në shtëpi në orën 7”. Sonte juria e përbërë nga emra të njohur si Birçe Hasko, Mevlan Shanaj, Rajmonda Bulku, Petrit Ruka dhe Suela Konjari do të ndajnë edhe çmimet e festivalit./atsh