Vlorë, sistemim kanalit në zonën e ish-Fushës së Aviacionit

Pastrimi i kanaleve është një punë e vazhdueshme e Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizime në Vlorë.

Ditët e fundit puna është përqendruar në pastrimin e kanalit në zonën e ish-Fushës së Aviacionit.

Drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë, Dorian Xhelili, gjatë inspektimit të punës që po realizohet për pastrimin e këtij kanali theksoi se ” puna është përqendruar në mirëmbajtjen dhe sistemimin e një kanali të rëndësishëm, përsa i përket ujërave të bardha, të të gjithë qytetit, që i akumulon dhe pastaj i derdh në hidrovor”.

“Pastrimi i kanalit do të sjellë një situatë të përmirësuar të gjithë infrastrukturës së ujërave të bardha në qytet, por edhe për banorët e zonës. Në bashkëpunim edhe me ndërmarrjen e shërbimeve publike po punojmë edhe për sistemimin dhe rregullimin e të gjitha urave dhe mbikalimeve që do të shërbejnë për banorët e zonës”.

Kreu i Ujësjellësit të Vlorës u shpreh se “problem mbetet hedhja në rrjetin e kanalizimeve të mbeturinave të ndryshme që ndikojnë në bllokimin e rrjetit. Mbetjet janë nga më ndryshmet, goma automjetesh të mëdha, inerte, pjesë betoni, etj”.

Sipas tij, kjo punë do të vazhdojë në të gjitha kanalet e qytetit të Vlorës.

Pastrimi i kanaleve po kryhet në kuadër të masave për stinën e vjeshtës dhe të dimrit, që po ndërmerr Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve të Vlorës. /atsh

Loading...