Kolonia ndërkombëtare e artistëve figurativë “Ditët e Mios” ka sjellë në Korçë 19 piktorë nga Polonia, Maqedonia e Veriut, Greqia, Mongolia, Arabia Saudite, Kosova dhe Shqipëria.
Për 4 ditë me radhë mjeshtrat e telajos u frymëzuan nga ngjyrat dhe pamjet piktoreske të Korçës e rrethinave, duke sjellë një ekspozitë të veçantë me krijimtarinë e tyre.
Artistët fillimisht kanë vizituar Korçën dhe rrethinat, për të hedhur më pas në telajo tematika të ndryshme, duke u ndalur në peizazhin e Dardhës, Boboshticës dhe Vithkuqit, dikur vende frymëzuese edhe për Piktorin e Popullit Vangjush Mio.
Për organizatorët ky event është konsideruar si ndër më të rëndësishmit dhe ka për qëllim promovimin e vlerave kulturore të Korçës.
Për piktorët Korça mbetet përjetësisht një vend për t’u eksploruar për peizazhet unike që sjell. Për organizatorët, ky aktivitet mbetet i rëndësishëm, pasi është edhe një urë komunikimi midis artistëve nga vende të ndryshme. /atsh