Qyteti bregdetar i Sarandës destinacioni i turistëve të huaj edhe në ditët e fundit të muajit tetor

Qyteti bregdetar i Sarandës vijon të jetë destinacioni i turistëve të huaj edhe në ditët e fundit të muajit tetor.

Porti i Sarandës bëri të ditur për ATSH-në “ditën e djeshme në port mbërriti kroçera “Msc Sinfonia” me rreth 2291 turistë në bord, që vijnë nga vende të ndryshme të botës”.

Sipas portit, 558 turistë ishin nga Gjermania, 279 nga Franca, 309 nga Italia, Brazili, Franca, Spanja, 69 nga Belgjika, 63 nga Austria, 103 nga Spanja, 139 nga Mbretëria e Bashkuar si dhe nga vende si Rusia, Portugalia, Suedia, etj.

Turistët vizituan pikat turistike të Sarandës si parkun e Butrintit dhe Syrin e Kaltër.

Sipas portit, kjo kroçerë do të vizitojë qytetin e Sarandës edhe tre herë të tjera brenda këtij viti.

Për vitin 2019 porti i Sarandës është rezervuar nga 42 kroçera, që do të prekin qytetin dhe do të vizitojnë pikat turistike të tij.

Saranda njihet për plazhet mahnitëse dhe ujin si kristal. Përveç diellit e plazhit, Saranda veçohet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit nxit kureshtjen e turistëve të shumtë me historinë e tij mijëravjeçare./atsh

Loading...