Sot në Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj grave, nisë fushata 16 Ditë të Aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore. Fushata globale zgjat deri më 10 dhjetor, në Ditën e të Drejtave të Njeriut.
Mbi 100 aktivitete do të organizohen anembanë Kosovës. Sot do të bëhet ndriçimi i hapësirave publike” në parkun e qytetit të Prishtinës nga zyra e UN Ëomen Kosovo dhe UN-Habitat
Pas auditimit të sigurisë dhe dizajnimit të konceptit të kryer për zonën e parkut të qytetit dhe lagjeve përreth, UN Ëomen Kosovo dhe UN-Habitat organizojnë këtë ngjarje për të rritur ndërgjegjësimin mbi dhunën me bazë gjinore dhe diskriminimin nga perspektiva hapësinore.
Bazuar në auditimet e kryera më parë, përfshirë auditorët e ndryshëm, rruga në parkun e qytetit rezultoi si njëra nga vendet më të pasigurta në Prishtinë. Kjo ngjarje thekson rëndësinë e dizajnimit urban me ndjeshmëri gjinore për krijimin e një qyteti të sigurt, të arritshëm dhe të kënaqshëm për të gjithë, në veçanti për gratë dhe vajzat, në çdo kohë.
Rruga e parkut do të ndriçohet në ngjyrë portokalli, ngjyra zyrtare e fushatës globale 16 ditë të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore, kështu duke thirrur simbolikisht për një hapësirë më të sigurtë publike.
Ndërsa, në Kino Armata, do të mbahet premiera e dokumentarit “Jo prona jote” nga Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore.
Në linjë me temën e fushatës së sivjetme “Më Dëgjo edhe Mua”, filmi ngërthen histori nga të mbijetuarat e dhunës në familje nga komunitetet e ndryshme në Kosovë dhe përkushtimin e tyre për t’u ballafaquar me çështje ekonomike e ligjore si ndryshimbërëse frymëzuese.
Duke shtjelluar lidhjen në mes dhunës dhe të drejtave pronësore, filmi fokusohet në atë se si normat zakonore ndikojnë në pronësinë e grave dhe në ndjeshmërinë e tyre ndaj dhunës në familje./KosovaPress/