Një ditë pas atentatit me armë zjarri teksa ecte me makinë drejt Tiranës, zbardhet dëshmia e prokurorit Arjan Ndoj, i cili mbeti i plagosur bashkë me shoferin dhe mikun e tij.
“Kam qenë duke drekuar në një restorant. Erdhi Landi Muharremi e një tjetër dhe janë ulur në restorant. Më pas u nisëm drejt Tiranës”, ka deklaruar Ndoj për grupin hetimor të çështjes.
Mesohet se prokurori kishte shkuar i vetëm në lokal dhe më pas ai e kishte ftuar në tavolinë për të drekuar së bashku mikun e tij Aleksander Laho, (Landi Muharremin). Pas drekës, ata janë nisur drejt Tiranës, ndërsa mjeti i tij ishte me xhama të zinj. Mësohet se prokurori ishte ulur në vendin e parë, ndërsa makina drejtohej nga shoferi i tij, Landi Maloku, i cili është në gjendje të rëndë për jetën.
Prokurori ka refuzuar që të lidhë atentatin për shkak të detyrës së tij. Para grupit hetimor Ndoj mësohet të ketë mohuar faktin se ka qenë shënjestër e sulmit.
“Nëse do ta kishin me jua nuk kishin arsye të më vrisnin në autostradë. Mua mund të më vrisnin në derë të shtëpisë, në prokurori. Nuk ka arsyeje që të më sulmonin në autostradë”, ka pohuar prokurori.
Muharremi, i cili ndodhet i shtruar në spitalin e Durrësit nuk ka arritur të japë dëshminë, pasi e ka të pamundur të flasë. Kjo për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, pasi një nga plumbat e ka prekur në nofull./balkanweb