Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, në cilësinë e “Guest Speaker” zhvilloi me Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes leksionin me temë: “Çështjet e Sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe roli i Shqipërisë në të”.
Gjatë leksionit, gjeneral brigade Kollçaku, pasi vlerësoi ecurinë pozitive të zhvillimit të kursit, dhe përgëzoi pjesëmarrësit për performancën e treguar gjatë ndjekjes së tij, u ndal tek pjesëmarrësit nga vendet e rajonit, duke theksuar: “Ju jemi mirënjohës për pjesëmarrjen në kurs, ashtu sikundër një falënderim e mirënjohje e veçantë dhe për vendet tuaja respektive, për bashkëpunimin pozitiv e të suksesshëm, në krijimin e mundësive për ndjekjen nga ana juaj të kursit më të lartë të sigurisë e mbrojtjes në nivel rajonal”.
Më pas, gjeneral brigade Kollçaku paraqiti një rezyme të përgjithshme të situatës së sigurisë në rajonin tonë, si dhe u ndal veçanërisht në rolin e Shqipërisë, si faktor i rëndësishëm i stabilitetit dhe ruajtjes së harmonisë dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Ai vlerësoi se të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor tashmë janë të vetëdijshme se e vetmja rrugë, e cila ofron paqe dhe stabilitet është ajo e bashkëpunimit, marrëdhënieve të mira dhe orientimi drejt anëtarësimit të plotë në strukturat rajonale të sigurisë, me fokus kryesor BE dhe NATO.
Takimi i shefit të Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku me studentët e KLSM vijoi nëpërmjet pyetjeve dhe diskutimeve të përbashkëta për çështje me interes në fushën e Sigurisë e Mbrojtjes.
Në përfundim, zëvendëskomandanti / zëvendësrektori i AFA, kolonel Prof. Asoc. Dr. Edmond Braneshi, i akordoi SHSHPFA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçakut “Certifikatën e Nderit”.