Nisur nga një raport i Bankës Botërore, Duka thekson se për vitin 2019, mbi 36% të bizneseve shqiptare u është kërkuar të paktën një herë ryshfet nga zyrtarët e shtetit.
Më tej Duka shprehet se Shqipëria po jeton faqet më të zeza të historisë së këtyre tre dekadave.
“Sipas Bankës Botërore, korrupsioni është zgjeruar edhe më shumë në vendin tonë; madje është edhe më i lartë se ç’ka qenë 6 vite më parë. Vrojtimi i sipërmarrjeve thekson se për vitin 2019, mbi 36% të bizneseve shqiptare u është kërkuar të paktën një herë ryshfet nga zyrtarët e shtetit. Një shifër është tre herë më e lartë se mesatarja e rajonit dhe mbi dy herë më e madhe se sa mesatarja botërore.
Një përgjegjësi ekskluzive e mazhorancës dhe e kryeministrit, nga e cila nuk mund të shpëtojnë, pasi janë të vetëm në drejtimin e vendit, janë të vetëm në ‘timon’, janë përfituesit më të mëdhenjë të një vendi në të cilin korrupsioni është e vetmja gjë që lulëzon.
Me ekonomike në pikiatë, me bujqësinë në mjerim, me borxhin publik në kupë të qiellit, me shpopullimin në masë, me reformat gjysmake, me integrimin në vend numëro, me rendin dhe sigurinë në gjendje alarmuese, me shtetin ligjor në kolaps, me të gjithë pushtetin në duart e ‘sovjetëve’, do të mbahen mend si hartuesit e një nga faqeve më të zeza të historisë së këtyre tre dekadave.
Në 2013 patët mundësi të bënin çdo gjë në të mirë të vendit, por e hodhët në koshin e plehrave besimin e qytetarëve. Sot, nëse ju ka mbetur ndonjë thërrime virtyti, plotësoni kushtet e Bundestagut dhe hapni rrugën zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Shqipëria ka nevojë për ndryshim!”