Largimi masiv i mjekëve drejt emigrimit po boshatis edhe qendrat spitalore në Tiranë.
Presidenti i Shoqatës së Traumës, Agron Dogjani thotë se në spitalin e Traumës ka shumë vende të mbetura bosh nga largimi i mjekëve.
Dogjani thotë se është momenti që qeveria të shpallë alarmin SOS pasi me këtë ritëm pas disa vitesh rrezikon që vendi të mbetet pa mjek. Deklaratat profesor Dogjani i bëri pas Kongresit të tretë Ndërkombëtar të Traumës që po mbahet në Tiranë.
Për mediat e interesuara mjeku foli edhe për ngarkesën në punë që bie cdo ditë në kurrizin e mjekëve të spitalit të Traumës. Sipas Dogjanit janë 100-150 trauma në ditë që përplasen në të vetmen qendër të specializuar cka në vit përbën një shifër të frikshme 40 mijë trauma.
Kjo sipas mjekut është shkaktuar nga rritja alarmante e kasidenteve me të vdekur e të plagosur. Sipas mjekut dëmet në njerëz nga aksidentet e rendisin shqipërinë të parën në rajon. Mjeku apelon shtimin e kapaciteteve të spitalit të traumës që ka mbetur njësoj me para viteve ‘90.